Sot përfundon numërimi i votave në Mitrovicën e Jugut

Sot përfundon numërimi i votave në Mitrovicën e Jugut

Komuna që ka marrë më se shumti vëmendje në procesin e numërimit të votave ka qenë Mitrovica e Jugut.

Dyshimet dhe akuzat për manipulim votash në këtë komunë kanë bërë që policia dhe prokuroria të nisin hetimet rreth pretendimeve të lartpërmendura.

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Jugut, Prokuroria Themelore e Mitrovicës dje pasdite urdhëroi vijimin e procesit të verifikimit, që ishte ndërprerë një ditë më parë.

Vendimi i Prokurorisë është marrë pas sqarimit zyrtar nga kompania sllovene CETIS, e cila ka printuar fletëvotimet për zgjedhjet komunale në Kosovë.

Në njoftimin e saj, kompania ka bërë të ditur se problemi me numrat serikë të ndryshëm ka ndodhur si pasojë e një defekti teknik në njërën nga pllakat e printerit që përdoret për shtypjen e kodit të qendrës së votimit.

Ndërkohë, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është bërë me dije se procesi i verifkimit në këtë komunë pritet të përfundojë gjatë ditës së sotme.

Nga ana tjetër, në 17 komunat e tjera ku u zhvillua raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, veçse është përmbyllur procesi i verifikimit.

Related Articles