Sot do të mbahet seanca konstituive e Kuvendi të Maqedonisë së Veriut.
Kjo seancë nis nga ora 11:00 dhe në agjendë i ka katër pika.
Pika e parë është zgjedhja e komisionit për verifikim, i cili ka për obligim që të verifikojë mandatet e deputetëve, e më pas do të vijojë edhe zgjedhja e Komisionit për zgjedhje dhe emërime, shkruan Klan Macedonia.
Sipas Rregullores së re, seanca konstitutive mund të zgjasë më së shumti tre ditë, ndërsa përfundon pas zgjedhjes së kryetarit të shtëpisë ligjvënëse, i cili me shumë gjasa do të jetë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi.
Pasi që kryetari i Kuvendit, Jovan Mitrevski, e caktoi seancën do ta udhëheq deputeti më i vjetër, përkatësisht Merita Kollçi Koxhaxhiku, nga Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit.
Me konstituimin e përmbajtjes së re parlamentare do të bëhet edhe shumica e re, e cila, siç është e ditur do ta ketë koalicioni i VMRO-DPMNE-së që pas negociatave që u mbajtën këto ditë duhet t’i bashkohet edhe VLEN dhe deputetët e ZNAM.
Me këtë shumica e ardhshme paralmentare po i afrohet numrit të 2/3.
Përndryshe mandat për deputet për herë të parë mori kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski i cili do të jetë mandatari i ardhshëm për formimin e qeverisë së re.
Disa nga deputetët e shumicës së re parlamentare në ulëset e deputetëve do të jenë vetëm një kohë të shkurtër sepse një pjesë e madhe prej tyre do të shkojnë në kabinetin e ri qeveritar.
Situata është e ngjashme edhe me deputetët e koalicionit VLEN, liderët e të cilit u zgjodhën për deputetët, por pritet që disa prej tyre do të shkojnë në ekzekutiv, ose të vazhdojnë punën si kryetar komune.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e deritanishëmtë qeverisë do të jenë në karriget e parlamentit të destinuara për opozitën.
Ish-kryeministri dhe kryetari i LSDM-së në largim Dimitar Kovaçevski, ish-zëvendëskryeministri për ekonomi Fatmir Bytyqi, ish-ministri i punëve të brendshme Oliver Spasovski, ai i bujqësisë Lupço Nikollovski, ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska, e kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska, për punë dhe politikë sociale, Jovana Trençevska, për transport dhe lidhje Bllagoj Boçvarski, si dhe ish-drejtoreshë e DAP-it Sanja Llukarevska.
Nga radhët e BDI-së, sërish deputet do të jetë kryetari i kësaj partie, Ali Ahmeti, e bashkë me të edhe ish-kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi.