Mbështetës të Ilir Metës sot kanë protestuar nga ora 12:00 para objektit të SPAK-ut në Tiranë.
Protesta në fjalë ishte e organizuar nga Partia e Lirisë. Protestuesit mbanin në duar pankarta: “Poshtë diktatura” dhe “Jo drejtësi me regji”, mbështetës të Ilir Metës kanë përcjellë mesazhe kundër SPAK dhe pro lirimit të Ilir Metës.
Protesta është thirrur nga Ilir Meta, i cili nga qelitë e paraburgimit u ka kërkuar të mbajnë protesta para SPAK.
Në fjalën e tij, Sekretari i PL-së, Tedi Blushi, e akuzoi SPAK-un si shkatërruesin e reformës në drejtësi dhe që po mbron korrupsionin.
“Ky institucion me veprimtarinë e tij antikushtetues e antiligjore ka vrarë besimin e qytetarëve të drejtësia e shteti ligjor duke u bërë njësh me mafien në pushtet. SPAK është shkatërruesi përfundimtar i reformës në drejtësi dhe i çdo shprese të shqiptarëve të lirë të ndershme patriotë për barazi para ligjit. Ky institucion prodhon padrejtësi, antiligj dhe antiarbitraritet. SPAK bunkeri i fundit i narkoqeverisë dhe po i jep imunitet korrupsionit skizofrenik. Jemi sot këtu, sepse SPAK-u është tubi i oksigjenit për narkoqeverisjen më të korruptuar në Europë dhe në botë. SPAK është mbrojtësi ligjor i krimit elektoral. Duke qenë shërbëtori i Ramës për asgjësimin e votës së lirë të shqiptarëve. SPAK-u është mbrojtësi më i madh i parave të pista, mbyll sytë para kullave të drogës dhe investimeve me para të pista që janë pak metra larg godinës. Është mbrojtës i korrupsionit shtetëror”, u shpreh Blushi.