654,538 qytetarë të Shqipërisë do t’i drejtohen sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj në bashkitë e Vlorës, Shkodrës, Durrësit, Dibrës, Lushnjës dhee Rrogozhinës mes kandidatëve të PS-së, PD-së dhe koalicionit “Shtëpia e Lirisë” të përbërë nga LSI dhe PDK.
Të zgjedhurit nga këto votime do të kenë një mandat njëvjeçar. 10,134 persona votojnë për herë të parë, ndërsa 135 shtetas nuk janë përfshirë në lista për shkak të dekriminalizimit. Në të këto bashki do të jenë 941 qendra votimi të hapura nga ora 07:00-19:00.
Në të gjitha qendrat e votimit do të jetë identifikimi elektronik, ndërsa në Vlorë votimi dhe numërimi do të jetë elektronik ku rezultati do të bëhet me dije menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve. Për pesë bashkitë e tjera, rezultati pritet të dalë brenda 48 orëve ose më parë, ka njoftuar para disa ditësh kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Zgjedhjet e pjesshme u dekretuan nga presidenti Ilir Meta më 20 janar të këtij viti për shkak të vakancave të krijuara nga dekriminalizimi apo dorëheqjet.