SPAK i kërkon Kuvendit t’ia heqë imunitetin Ballukut me qëllim arrestimin e saj

SPAK i kërkon Kuvendit t’ia heqë imunitetin Ballukut me qëllim arrestimin e saj

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë që të heqë imunitetin zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe të autorizojë arrestimin e saj.

Ndaj Ballukut, e cila njëherësh është edhe deputete dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, SPAK-u ka ngritur aktakuzë më 31 tetor të këtij viti, nën dyshimet se ka bërë shkelje gjatë dhënies së tenderëve.

Ajo ishte pezulluar nga detyrat zyrtare dhe i ishte pamundësuar largimi nga shteti, por vendimi i SPAK-ut për pezullim u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se pas vendimit të Kushtetueses, tani SPAK-u po kërkon autorizim për arrestimin e Ballukut, qoftë për ta dërguar në burg apo në arrest shtëpiak.

Ai tha se “arrestet pa gjyq” janë bërë “modë e vrazhdë në Shqipëri”, por shtoi se nuk mund ta paragjykojë kërkesën në fjalë.

“Por, sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e reformës në drejtësi”, shkroi ai në X.

SPAK e akuzon Ballukun për veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tenderë apo ankande publike”, përkatësisht për ndërtimin e tunelit të Llogarasë.

Ajo po ashtu po hetohet nën dyshimet se ka kryer të njëjtën vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi, përfshirë edhe për ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës.

Sa i përket ndërtimit të tunelit të Llogarasë, SPAK më herët kishte njoftuar se ishin evidentuar veprime të kundërligjshme të bëra nga Balluku.

“Në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndjekur dhe orientuar në vijimësi procedurën e këtij prokurimi publik, prej fazës përgatitore, zhvillimit të procedurës, dorëzimit dhe vlerësimit të ofertave, deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues”, ka thënë SPAK më 20 nëntor.

Edhe për Unazën e Jashtme ajo dyshohet se ka orientuar procedurën e prokurimit publik.

SPAK është krijuar në dhjetor të vitit 2019, pas ndryshimeve kushtetuese që u votuan më 2016. Kjo strukturë ka hetuar disa ish-zyrtarë, ish-ministra e deputetë, të cilët janë duke e vuajtur dënimin.

Ky organ ka kryer hetime kundër korrupsionit ndaj figurave të larta, sikurse ish-presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha. Berisha është liruar nga arresti shtëpiak në fund të nëntorit të vitit të kaluar, ndërkaq Meta gjendet në paraburgim.

Related Articles