Prokuroria e Posaçme ka reaguar pas njoftimit të ambasadës amerikane në Shqipëri për ndërprerjen e fondeve për institucionet shqiptare.
“Jemi informuar për Urdhrin Ekzekutiv të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e programeve të asistencës ndërkombëtare. SPAK është një institucion i pavarur, i cili mbështetet tërësisht në buxhetin e shtetit. Ligji 115 i vitit 2024 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor të Republikës së Shqipërisë” parashikon edhe buxhetin e miratuar për Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për vitin 2025”, thuhet në përgjigjen e SPAK për A2 CNN.
“Prokuroria e Posaçme dhe Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH), prej krijimit kanë pasur mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët kanë dhënë kontributin e tyre përmes misioneve: OPDAT, ICITAP, DEA, FBI. Mbështetja e tyre është tejet e rëndësishme për fuqizimin e punës së SPAK dhe konsiston kryesisht në trajnime, vizita studimore, pajisje të ndryshme teknike dhe sistemin e menaxhimit të çështjeve”.
Një ditë më parë, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka njoftuar Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë për pezullimin e fondeve amerikane pas një urdhri të presidentit Donald Trump.
Më 24 janar, Departamenti i Shtetit i SHBA-së urdhëroi pezullimin e financimeve të reja për shumicën e programeve të ndihmës ndërkombëtare, si pjesë e përpjekjeve të presidentit për të përshtatur politikat e ndihmës amerikane me objektivat e tij të politikës së jashtme.
Këto programe, që financohen kryesisht përmes Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), do të ndikohen nga ky vendim.
Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dërgoi një mesazh për ambasadat e SHBA-së në mbarë botën, duke sqaruar se ndihma ndërkombëtare do të shpërndahet vetëm në përputhje të plotë me politikën e jashtme të presidentit të Shteteve të Bashkuara.
Fondet ndërpriten deri ne një vendim të dytë për institucionet:
Ministria e Financave, përfshirë Agjencinë e Inteligjencës Financiare
Ministria e Brendshme, duke përfshirë Policinë e Shtetit Shqiptar, Agjencinë e Mbikëqyrjes së Policisë dhe Qendrën e Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural
Ministria e Drejtësisë, përfshirë Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve
Ministria e Mbrojtjes
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme
Ministria e Arsimit dhe Sportit
Ministria e Turizmit dhe Mjedisit
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale
Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët
Ministria e Shtetit për Pushtetin Vendor
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, duke përfshirë Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare (KESH), Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST), Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) dhe Bursën Shqiptare të Energjisë (ALPEX)
Ministria e Shtetit për Administratën Publike dhe Kundër Korrupsionit
Ministria e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin
Parlamenti, duke përfshirë komisionet e tij
Këshilli i Lartë Gjyqësor
Këshilli i Lartë i Prokurorisë
Gjykata Kushtetuese
Gjykata e Lartë
Të gjitha gjykatat, përfshirë gjykatat e apelit, gjykatat administrative të apelit dhe gjykatat e shkallës së parë
Struktura e Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke përfshirë Prokurorinë Speciale dhe Byronë Kombëtare të Hetimit
Gjykata e Shkallës së Parë të Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Gjykata e Posaçme e Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm
Inspektori i Lartë i Drejtësisë
Komisioni i Pavarur i Kualifikimeve, Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit dhe Dhoma e Posaçme e Apelimit
Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK)
Agjencia Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI)
Ministria e Shtetit dhe Zyra e Kryenegociatorit
Agjencia Shtetërore për Programimin Strategjik dhe Koordinimin e Ndihmës (SASPAC)
Të gjitha pushtetet komunale
Urdhri ekzekutiv kërkon një pezullim 90-ditor të ndihmës zhvillimore ndërkombëtare të SHBA-së për të vlerësuar efikasitetin dhe “përputhshmërinë me politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara”.
Ky urdhër i prek shpërndarjet e reja të fondeve për vendet e huaja, OJQ-të, organizatat ndërkombëtare dhe kontraktorët, deri në përfundimin e rishikimeve të programeve.