Në seancën e radhës ndaj ish-Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, Gjykata e Posaçme administroi deklarimet e dhëna nga ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Luan Hoxha, në shkurt 2009. Kjo pasi, në një ndërprerje të seancës, prokurorët e SPAK konfirmuan përmes sistemit TIMS se Hoxha kishte dalë nga vendi në vitin 2012.
Duke e vlerësuar të rëndësishme dëshminë e Hoxhës, i pandehuri Mediu, kërkoi pyetjen e tij përmes video konferencës, por prokurorët e SPAK thanë se nuk kishin një adresë të ish-gjeneralit, i dënuar në procesin e parë të dosjes “Gërdeci”.
Në të njëjtën seancë, prokurorët nisën prezantimin e provave shkresore, mes të cilave akt-ekspertimin amerikan të shkakut të shpërthimit në Gërdec, akt-ekspertimin ushtarak dhe atë financiar. Sipas SPAK, shkaku i shpërthimit mund të ishte flaka e shkaktuar nga kontakti i një karroce të sapo salduar me thasët e barutit. Një mundësi është sipas akuzës edhe mosdorëzimi i çakmakëve në hyrje të fabrikës, apo kontakti i rrotave metalike të karrocës.
Sipas akt-ekspertimit ushtarak, demontimi i kalibrave të mëdhenj nuk mund të behej në një distancë të afërt me zonën e banuar, ndërsa akt-ekspertimi financiar llogariste një kosto prej 59 milion lekësh për transportin, që konsiderohet sipas SPAK, dëm në buxhetin e shtetit.
Nga ana e tyre, avokatët e Mediut dhe vetë i pandehuri thanë që SPAK duhet të provonte se çfarë lidhje kishte secila nga provat shkresore me kompetencat e Mediut si ministër.
“Ashtu siç u kërkua thirrja e dëshmitarëve, prokuroria ka sjellë një volum shkresash pa përcaktuar asgjë. Pa përcaktuar dhe përgjegjësitë e ministrit. U tha se ishte salduar një karrocë. I kërkuam prokurorisë që të na thotë se ku është përgjegjësia e ministrit në kuadër të shpërdorimit të detyrës. Nëse nuk hyhet në thelb të së vërtetës, mendoj se është një proces që të kalohet te procesi i radhës. Sikur duan që të mbarojë seanca shpejt. Se çfarë ka ndodhur në Gërdec, njerëzit e dinë. Se çfarë ka bërë ministri, atë duhet të faktojnë. Unë duhet të analizoj ekspertizën e amerikanëve. Ata kanë lënë 5 shkaqe në fuqi. Nuk u bë herën e parë, ndaj mendoj se duhen marrë në konsideratë të gjitha gjërat. Nuk merret ministri me çështjet e kalibrave. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm duhet të japë versionin e tij. Nuk është e vështirë që të gjendet adresa e tij në SHBA”, tha Mediu për gazetarët pas seancës, raporton A2Cnn.