Spitalet dhe objektet shëndetësore janë në qendër të luftimeve intensive derisa Izraeli po vazhdon ofensivën e tij kundër Hamasit në qytetin e Gazës. Shumë prej spitaleve dhe klinikave kanë pushuar së funksionuari, përfshirë këtu spitalin më të madh të Gazës, spitali Al-Shifa
Spitalet dhe objektet shëndetësore janë në qendër të luftimeve intensive derisa Izraeli po vazhdon ofensivën kundër Hamasit në qytetin e Gazës. Fokusi i vëmendjes ka qenë në spitalin Al-Shifa, spitali më i madh i Gazës, ku mijëra persona janë bllokuar nga betejat përreth, por objekte të tjera shëndetësore kanë raportuar gjithashtu për mungesë furnizimesh dhe energjie për shkak të luftimeve.
Izraeli ka thënë se nuk po i synon drejtpërdrejt spitalet, por i ka pranuar “luftimet” rreth Al-Shifas dhe objekteve të tjera.
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka raportuar se 36 objekte shëndetësore, përfshirë 22 spitale, janë dëmtuar që nga fillimi i luftës më 7 tetor, dhe vetëm një pjesë e vogël e tyre janë ende funksionale.
Spitali Al-Shifa
OBSH-ja ka njoftuar të dielën se spitali Al-Shifa në qytetin e Gazës – më i madhi në territor, me 700 shtretër – ka pushuar së funksionuari dhe se situata brenda është “e tmerrshme dhe e rrezikshme”.
Rrugët përreth janë përfshirë nga luftimet midis Hamasit dhe forcave izraelite. Sipas OKB-së, infrastruktura kritike është dëmtuar.
Izraeli ka deklaruar se luftëtarët e Hamasit po e zhvillojnë veprimtarinë e tyre në tunele nën spital – pretendim që Hamasi po e mohon.
Stafi brenda ka thënë se është e pamundur të largohen, meqë mund të lëndohen ose vdesin.
“Të shtënat me armë zjarri dhe bombardimet e vazhdueshme në zonë kanë përkeqësuar rrethanat tashmë kritike”, ka shkruar në rrjetin social X, drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus.