Tash e tri vjet në qytetin e Gjilanit po zhvillohet një traditë që gjithnjë e më shumë po tërheq të rinj – ajo e garave me biçikleta malore, e njohur për disiplinën downhill, shkruan Gazeta Enigma.
Pasioni e vullneti për këtë sport ka bashkuar një grup entuziastësh gjilanas që prej vitesh e praktikojnë atë, ndërsa sot veprojnë në kuadër të klubit “MTB06”, organizatë kjo që e udhëheq garën në këtë sport me 18-19 tetor që mbahet në Gjilan.
“Ne jemi një grup shokësh nga qyteti që moti e praktikojmë sportin e biçikletave malore, përkatësisht disiplinën downhill,” potencon për Gazetën Enigma, Uran Ahmeti, organizator i eventit dhe njëri nga themeluesit e klubit.
“Duke qenë të pasionuar pas sporteve të natyrës, vite më parë filluam të kërkojmë shtigje për t’i rregulluar ato, e më pas themeluam klubin dhe OJQ-në MTB06, në kuadër të së cilës organizohet edhe gara”.
Këtë vit, organizatorët kanë vendosur që gara të jetë me karakter lokal dhe me një nivel më të ulët rrezikshmërie, për t’ua bërë më atraktive për rininë. “Këtë vit kemi vendosur që gara të jetë lokale dhe nivelin e rrezikshmërisë së shtegut ta ulim, duke eliminuar disa segmente,” shpjegon Ahmeti.
“Këtë e kemi bërë me qëllim që t’ua mundësojmë të rinjve të qytetit pjesëmarrjen në garë dhe ta promovojmë këtë sport edhe më shumë në Gjilan.”
Ai ka dhënë edhe detaje të tjera për eventin.
“Gjatësia e shtegut është rreth 1.5 kilometra, duke filluar nga lartësia 788 metra dhe duke përfunduar në 573 metra mbi nivelin e detit, që do të thotë gjithsej 253 metra zbritje,” tregon ai, duke shtuar se terreni ofron adrenalinë, por edhe siguri për pjesëmarrësit.
Një aspekt i rëndësishëm për organizatorët mbetet siguria e garuesve. Ahmeti shpjegon se çdo pjesëmarrës duhet të nënshkruajë një kontratë, para pjesëmarrjes në event.
“Çdo person që dëshiron të marrë pjesë nga mosha 16–18 vjeç duhet të ketë një kontratë të nënshkruar nga prindi ose kujdestari ligjor. E njëjta kontratë nënshkruhet edhe nga garuesit madhorë, ku përcaktohet detyrimi për të pasur pajisje mbrojtëse dhe biçikletë të përshtatshme për terrene malore,” thekson ai.
Masat e sigurisë gjatë garës janë gjithmonë në prioritet të lartë.
“Dy javë para garës i njoftojmë institucionet e sigurisë, Policinë e Kosovës dhe Spitalin Rajonal të Gjilanit – dhe çdo vit ata përgjigjen pozitivisht,” thotë Ahmeti.
Ahmeti mes tjerash thotë se bashkëpunimi me institucionet lokale ka qenë i rëndësishëm për vazhdimësinë e aktivitetit.
“Komuna e Gjilanit na ka mbështetur tri vite me radhë, ndërsa kemi pasur edhe donatorë nga bizneset lokale dhe vendore që na kanë përkrahur në dy edicionet e para. Shfrytëzoj rastin t’i falënderoj të gjithë për mbështetjen,” shton ai.
Ai e përfundon me një mesazh.
“Duam që kjo garë të frymëzojë sa më shumë të rinj të merren me sporte të tilla dhe të kuptojnë se natyra e qyteti ynë kanë potencial të madh për aktivitete të tilla,” theksoi ai. /Gazeta Enigma.