Eugen Cakolli nga KDI ka komentuar zhvillimet e fundit pas dyshimeve për manipulim me vota në Mitrovicë, raporton Gazeta “Enigma”.
Cakolli përmes një postimi në Facebook ka theksuar se sqarimet e kompanisië sllovene “Cetis” dhe ato të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve e bëjnë rastin “më të çuditshëm”.
“Pikë së pari, çdo fletëvotim të cilit nuk i përputhet kodi i vendvotimit me atë ku është votuar, duhet të shpallet i pavlefshëm. Por edhe kjo, në vetvete, nuk garanton se problemi është adresuar në tërësi. Sepse thelbi nuk është vetëm gabimi teknik, por përmasat e tij – pra, sa fletëvotime janë prekur, në cilat vendvotime, dhe a ka pasur ndikim në rezultat. Pa këtë informacion, askush – e sidomos KQZ-ja – s’mund të flasë për integritet të paprekur të zgjedhjeve”.
“Sqarimet” e CETIS-it dhe KQZ-së, e bëjnë rastin më të çuditshëm sa më shumë që i lexon. Sepse, mungesa e çfarëdo informate zyrtare nga KQZ-ja mbi shtrirjen reale të problemit, dhe bartja e tërë përgjegjësisë te kompania CETIS, që më shumë krijoi konfuzion sesa sqaroi me deklaratën e saj, është në vetvete tejet problematike”.
Sipas tij, çdo deklaratë që e përkufizon problemin në gabim teknik është spekulim. “Nëse as kompania nuk e di sa dengje dhe fletëvotime janë prekur, si mund të garantohet integriteti, kur ende rreth 75% e vendvotimeve të Mitrovicës nuk janë procesuar dhe fletëvotimet e dyshimta nuk janë verifikuar fizikisht”.
“Çdo deklaratë që e kufizon problemin tek “gabimi teknik” është, në këtë fazë, thjesht spekulim. E në një proces zgjedhor, s’ka më keq se kur një “gabim teknik” trajtohet si rrezik politik që duhet menaxhuar disi, në vend se si problem që duhet hetuar deri në fund”.
