Stano deklarohet për raportimet se Lajçaku do të marrë post të ri

Stano deklarohet për raportimet se Lajçaku do të marrë post të ri

Gjatë ditës së sotme u raportua se nga muaji shtator, emisari aktual i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të marrë një post të ri, atë të ambasadorit të BE-së në Zvicër.

Për këtë çështje, Klankosova.tv ka kontaktuar me zëdhënësin e BE-së, Peter Stano, për të marrë një qëndrim rreth kësaj çështjeje.

Stano tha se nuk i komentojnë “thashethemet dhe spekulimet në media”.

“Si rregull i përgjithshëm, nuk përfshihemi në thashetheme dhe nuk i komentojmë spekulimet në media për personelin e BE-së”, tha Stano.

“Kur kemi të bëjmë me emërimin e ambasadorëve të BE-së, gjithmonë ka parametra të qartë: procesi që çon në emërimin e një ambasadori është i brendshëm dhe jo publik – në linjë me praktikën ekzistuese diplomatike”, deklaroi më tej zëdhënësi i BE-së.

Ai më tej ka sqaruar procedurën për emërimin e ambasadorëve, ndërsa ka shtuar se vetëm pas përfundimit të të gjitha procedurave, “ne do të njoftojmë emrat dhe emërimet”.

“Nuk ka asnjë ndryshim të menjëhershëm të kryetarëve në delegacionet tona në mbarë botën. Rotacioni i radhës i rregullt, që do të përfshijë shefat e delegacioneve dhe zëvendëskryetarët e delegacioneve është planifikuar vetëm pas gjashtë muajsh, në shtator”, theksoi Stano në këtë përgjigje.

Radio Evropa e Lirë, duke u thirrur në burime, raportoi se në kuadër të rotacionit të madh në postet diplomatike të Bashkimit Evropian nëpër botë, Mirosllav Lajçak, që aktualisht është i dërguari i posaçëm i bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, pritet të bëhet ambasador i BE-së në Zvicër.

Related Articles