Zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano, ka hedhur poshtë raportimet se Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, kishte në plan të vinte në Kosovë më 26 shkurt.
Mediumi në gjuhën serbe “Kosovo Online”, që financohet nga Qeveria e Serbisë, raportoi këtë lajm duke u thirrur në një “burim diplomatik në Prishtinë”.
Stano tha se Borrell e kishte të planifikuar agjendën kohë më parë se takimet e zhvilluara në Konferencën për Siguri në Munih të Gjermanisë.
“Është absolutisht marrëzi. HRVP [Borrell] kishte planifikuar vizita/aktivitete krejtësisht të ndryshme për këto data shumë më parë çdo takimi në Munih”.
Borrell bashkë me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajçak, kishte takuar kryeministrin Albin Kurti në kuadër të Konferencës së Munihut, më 16 shkurt. Temë diskutimi patën procesin e dialogut dhe normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Në dritën e shkeljeve të vazhdueshme nga Serbia, sulmit terrorist dhe paramilitar në Banjskë ndaj integritetit territorial të Kosovës dhe sigurisë kombëtare, letrave dhe deklaratave të vazhdueshme publike për mosdetyrimin ligjor të marrëveshjes për Serbinë dhe për moszbatimin e plotë të Marrëveshjes Bazike të arritur në Bruksel dhe Aneksit të saj në Ohër, nënshkrimi i marrëveshjeve është bërë i nevojshëm si garancë e respektimit dhe zbatimit të plotë të tyre, drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve”, ka thënë Kurti pas takimit, siç ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Për temën e dialogut, Borrell ka takuar edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq në margjinat e kësaj konference. Por, takim trepalësh s’ka pasë.
Sipas raportimit të mediumit në gjuhën serbe Borell pas Kosovës do të udhëtonte në Serbi më 28 shkurt./express/