Blerand Stavileci e ka quajtur fitore të qytetarëve vendimin për anulimin e tarifave të energjisë të vendosura në fillim të pranverës.
Sipas tij qytetarëve duhet t’u kthehen mjetet që ata i kanë shpenzuar për rrymë gjatë muajve të fundit. Madje ai thekson se është detyrë e ekzekutivit që ta gjejë mënyrën për t’i kthyer ato mjete.
“Të shpallet vendimi i kundërligjshëm nuk është mirë për qeverinë. Qeveria është përgjegjëse për të gjitha gjërat që ndodhin gjatë mandatit të saj. Ajo duhet t’i gjejë mënyrat për t’ua liruar paratë”, është shprehur Stavileci në KlanKosova.
Ai ka theksuar se janë dikasteret ekonomike ato të cilat duhet të kenë vizionin se si të dilet nga situate e krijuar.
Më tej ai ka thënë se nuk beson se do të jetë në krye të ndonjërit nga departamentet në Kabinetin e Qeverisjes së Mirë, por sipas tij ata që do të drejtojnë ato sektore do të jenë njerëz profesionistë.