“Është gjë e pamundur për Vuçiçin dhe Kurtin që ta zgjidhin problemin e Kosovës vetëm, pa ndihmën e komunitetit ndërkombëtar. Ata nga vetet e tyre asnjëherë s’do ta zgjidhin këtë problem, sepse ky problem i ushqen ata. Këta janë njerëz që kënaqen që kanë një armik në anën tjetër, kjo gjë u sjell vota, mbështetje, vlerësim, sepse qytetarët i mban në varfëri dhe frikë”.
Kështu u shpreh Nënkryetari i Partisë për Liri dhe Drejtësi, dhe ish-negociatori në Bruksel në dialogun teknik Kosovë-Serbi, Borko Stefanoviç, në një intervistë dhënë për të përditshmen serbe Danas.
Sipas Stefanoviç kjo krizë aktuale është e ‘koordinuar’ mes autoriteteve në Prishtinë dhe Beograd.
“Një gjë që e vërej gjithashtu është se asnjë nga Lista Serbe, ose Partia Progresiste Serbe në Kosovë, nuk ka dhënë dorëheqje nga Qeveria e Kosovës. Nuk ka asnjë krizë në Qeverinë e Kosovës, ata jetojnë mirë së bashku dhe pajtohen bukur”, deklaroi Stefanoviç.
Ai gjithashtu thotë se qytetarët duhet të dinë se kjo situatë mund të zgjidhet lehtësisht, nëse futen ngjitëse të veçanta për automjetet, dhe se gjithçka mund të ishte shmangur nëse marrëveshja do të ishte zgjatur edhe për pesë vjet, por që diçka e tillë nuk ishte në interes të atyre që duan të mbajnë pushtetin si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë.
“Qeveria jonë ka hedhur poshtë çdo mundësi për të negociuar në Bruksel. Për të qenë i sinqertë, ajo që QUINT-i propozoi dhe ajo që Kurti donte, ishte të lejonte përdorimin e pllakave Kosovska Mitrovica, Gjilan, Prishtinë të lëshuara nga MPB-ja ynë, por jo targat Beograd, Raska, etj. As unë nuk do të pranoja diçka të tillë. Por fakti është se ata përfituan nga situata dhe krijuan një krizë që, jam i bindur, është në një formë të koordinuar. Kjo është një ndihmë e vogël për të dyja palët në zgjedhje”, deklaroi Stefanoviç
Ai parashikon që situata do të qetësohet dhe do të harrohet shumë shpejt, sipas parimit “ujku hëngri gomarin”, dhe se një lloj marrëveshjeje midis dy palëve do të arrihet në heshtje.
Sipas tij, kjo krizë, si dhe normalizimi i përgjithshëm i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, nuk mund të zgjidhen derisa Vuçiç dhe Kurti janë në pushtet, sepse nuk është në interesin e tyre politik.
“Për sa kohë që ne kemi njerëz në pushtet në Beograd dhe Prishtinë të cilët janë ose nxitës të luftës ose pjesë e një grupi të organizuar kriminal, njerëz të lidhur me mafiozë që përdorin çështje kombëtare për të mbuluar vjedhjen e tyre, ky problem nuk do të zgjidhet”, tha Stefanovic.
Si zgjidhje, ai sheh një ndikim më të fortë të bashkësisë ndërkombëtare mbi Albin Kurtin dhe anën e Kosovës, dhe nga ana tjetër, që Evropa të “ekspozojë” se Serbia ka një autokrat në pushtet, siç thotë Stefanovic – “një njeri që shkatërron të gjitha institucionet, demokracia, në këmbim të paqes së dukshme”. /Albanianpost.com