Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg të martën tha se aleanca nuk do të tërhiqet në mbështetjen e saj për Ukrainën, duke u bërë thirrje partnerëve të zotohen për më shumë ndihmë dimërore për Kievin, pasi ai po përgatitet për më shumë të ftohtë dhe errësirë për shkak të sulmeve ruse në infrastrukturë..
Takimi i ministrave të jashtëm të NATO-s në Bukuresht po përqendrohet në rritjen e ndihmës ushtarake për Ukrainën si sistemet e mbrojtjes ajrore dhe municionet.
Një pjesë e kësaj ndihme si karburantet, furnizimet mjekësore, pajisjet dimërore dhe bllokuesit e dronëve është dorëzuar përmes një pakete ndihme të NATO-s, në të cilën aleatët mund të kontribuojnë dhe të cilën Stoltenberg synon ta rrisë.
“NATO do të vazhdojë të qëndrojë për Ukrainën për aq kohë sa është e nevojshme. Ne nuk do të tërhiqemi”.
“Fokusi kryesor është mbështetja e Ukrainës dhe sigurimi që presidenti Vladimir Putin të mos fitojë”, është shprehur Stoltenberg, shkruan Reuters.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky paralajmëroi bashkëqytetarët e tij për sulme të reja ruse këtë javë që mund të jenë po aq të këqija sa ato të javës së kaluar, më të këqijat deri më tani, që lanë miliona njerëz pa ngrohje, ujë apo energji elektrike.
Ministrat do të diskutojnë gjithashtu kërkesën e Ukrainës për anëtarësim në NATO.
Gjeorgjia, Moldavia dhe Bosnja do të marrin pjesë gjithashtu në takimin të mërkurën pasi aleanca kërkon të forcojë lidhjet me vendet mes frikës se Rusia po kërkon të destabilizojë shtetet përtej Ukrainës.