Vendet perëndimore duhet të jenë të përgatitura për të ofruar mbështetje afatgjatë për Ukrainën, pasi Rusia nuk tregon shenja se ka hequr dorë nga lufta, ka thënë Sekretari i përgjithshëm i NATO-s.
Jens Stoltenberg i tha BBC-së se mbështetja ushtarake do të siguronte mbijetesën e Ukrainës si një vend sovran dhe do ta detyronte Rusinë të ulet dhe të negociojë për t’i dhënë fund luftës.
“Programi i mobilizimit të pjesshëm të Rusisë, i urdhëruar në shtator, tregoi se Moska nuk kishte dëshirë për t’i dhënë fund luftës aktualisht”, tha Stoltenberg për programin e Radio 4 World at One.
“Forcat ukrainase patën vrullin për disa muaj, por ne gjithashtu e dimë se Rusia ka mobilizuar shumë më tepër forca, shumë prej tyre tani janë duke u trajnuar”, tha ai.
“E gjithë kjo tregon se ata janë të përgatitur për të vazhduar luftën dhe gjithashtu përpiqen të fillojnë një ofensivë të re”, ka thënë Stoltenberg.
Raketat dhe dronët rusë kanë goditur Ukrainën në natën dhe ditën e Vitit të Ri, shkruan BBC.