Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, të martën në Beograd, zhvilloi takime me udhëheqësit e Serbisë, përfshirë presidentin Aleksandar Vuçiq.
Në këtë bisedë siç u njoftua, “top-temë” diskutimi ishte situata politike dhe ajo e sigurisë në Ballkanin Perëndimor. Sidomos u fol për tensionet mes Kosovës dhe Serbisë.
Sidomos se grumbullimi i forcave të ushtrisë serbe në afërsi të kufirit me Kosovën nuk ndihmon në qetësimin e situatës së tensionuar mes dy vendeve.
Të premten e 24 nëntorit bëhen dy muaj kur një grup i armatosur serbësh sulmuan policinë e Kosovës, në Banjskë të Zveçanit.
Për këtë akt agresioni, Prishtina zyrtare akuzon Beogradin se e financoi e mbështeti sulmin ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku, e u plagosën dy polic tjerë.
Stoltenberg shtoi se mirëpret koordinimin e KFOR-it dhe ushtrisë së Serbisë, kjo për siç thotë të sigurohen informacione me kohë dhe ndarjen e tyre në mënyrë që të shmanget çdo keqkuptim. Në këtë kontekst Stoltenberg tha diçka që nuk i pëlqeu fare nikoqirit.
“Unë llogaris në të gjitha palët që të reduktojnë tensionet e të përmbahen nga secili veprim eskalues. Siç thashë, president Vuçiq, gjatë takimit tonë, grumbullimi prapë i forcave ushtarake serbe në afërsi të kufirit administrativ, nuk do ta ndihmojë situatën”, u shpreh ai.
Vuçiqi reagoi ndaj kësaj, duke theksuar se askush s’do mund ta dirigjojë vendin e tij i cili, sipas tij, do mbetet ushtarakisht neutral.
Sekretari Stoltenberg, pos kësaj thirri Kosovën e Serbinë që të vazhdojnë dialogun e lehtësuar nga BE-ja si rruga e vetëm, sipas tij, që çon në paqe e stabilitet.
Sikur në Prishtinë të hënën ku qëndroi për vizitë, ashtu dhe në Beograd të martën, ai e quajti lajm të mirë propozimin për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë.
Në këtë temë Vuçiqi tha se “asnjë Asociacion” nuk do formohet nga autoritetet kosovare.