Stuhia e fuqishme i bën dëm “500 mijë euro” fermerit nga Gjilani, i ngordhën rreth dy mijë zogj

Stuhia e fuqishme i bën dëm “500 mijë euro” fermerit nga Gjilani, i ngordhën rreth dy mijë zogj

Një fermë e shpezëve në Nasalë të Gjilanit ka pësuar dëme nga stuhia e fuqishme që ndodhi dy net më parë. Pas rrëzimit të pullazit, brenda depërtoi uji, nga i cili ngordhën rreth dy mijë zogj. Menaxheri i fermës thotë se është në pritje të zyrtarëve komunalë për ta vlerësuar dëmin, e të cilët edhe dy ditë pas vërshimeve nuk kanë dalë në terren

Stuhia e dy netëve më parë dëmtoi çatitë e një ferme të shpezëve në fshatin Nasalë të Gjilanit. Erërat e mëdha të shoqëruar me reshje shiu e breshëri të rrëmbyeshëm rrëzuan në tokë llamarinën, e si pasojë uji depërtoi brenda fermës ku ndodheshin zogjtë duke shkaktuar ngordhjen e rreth dy mijë prej tyre, raporton Koha.net, përcjell Enigma.

Përgjegjësi i fermës, Kadri Ajeti, thotë se kostoja e dëmit sillet afër gjysmë milion euro.

“Këtu janë kanë diku 10 mijë. Po në atë pjesën aty ku është ajo ngordhja e madhe aty janë kanë diku 2 mijë e 500 copa, prej 2 mijë e 500 copave dje më kanë pas mbet diku 200 e prej dje kanë ngordhur 30-40 copa”, ka thënë Ajeti. 

Ferma kundërmon, meqë ndonëse stuhia ndodhi të mërkurën mbrëma, shpezët e ngordhur qëndruan mbi dhe edhe gjatë ditës së premte.

Ajeti thotë se i vendosi ato në një gropë pak metra larg fermës, por nuk i mbuloi, pasi siç thotë, është në pritje të zyrtarëve komunalë për verifikim. 

“Te Drejtoria e Bujqësisë njëherë më thanë mos e prekni se dalim, po ata ku me ditë kur dalin. Policia tha gjithqysh duhet me i varros sa më shpejt se po e sheh edhe vetë ne veç i kemi qit aty po nuk i kemi mbuluar por menjëherë ka nis era me ardhë”, ka thënë Ajeti. 

Ajeti thotë se pret ndihmë nga institucionet që të rimëkëmbë biznesin pas dëmeve të shkaktuara.

Koha provoi të kontaktojë me drejtorin e Bujqësisë në Komunën e Gjilanit, por ai ishte i paqasshëm. E në kabinetin e kryetarit të Komunës, thanë se ai ndodhet jashtë vendit. 

Ndërkaq, drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Bejtullah Osmani, teksa konfirmon se ekipet nuk kanë dalë në terren, thotë se janë të informuar për ndodhinë në fshatin Nasalë.

“Kemi në fshatin Nasalë tri pullaze të një fermeri të pulave janë dëmtuar me ç’rast ka shkaktuar dëme, diku mbi 1 mijë pula i kanë ngordhur… Ne si Komunë e kemi një komision i cili bën vlerësimin e dëmeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera. I kemi disa informata, në ndërkohë jemi duke i pritur dokumentet dhe kërkesat zyrtare dhe komisioni gjithsesi do të del në vend ngjarje për ta bërë verifikimin e tyre”, ka thënë Osmani. 

Osmani thotë se Komuna nuk ka buxhet të ndarë për t’i kompensuar dëmet e qytetarëve, por shprehu pritjen për ndihmë nga niveli qendror. 

Related Articles