Kryeministri suedez, Ulf Kristersson, ka thënë se të huajt që jetojnë në Suedi, po e keqpërdorin vendin si skenë për përhapjen e mesazheve të rruejtjes, pas rasteve ku disa herë u dogj libri i shenjt islam, Kurani.
Javët e fundit ka pasur një sërë protestash në Suedi dhe Danimarkë, në të cilat kopjet e Kuranit u dogjën ose u dëmtuan, duke shkaktuar zemërim në vendet muslimane dhe kërkesa që qeveritë nordike t’i ndalin djegiet.
Duke folur në Stokholm të martën, disa orë pasi dy irakianë ia vunë zjarrin një Kurani jashtë parlamentit suedez, Kristersson tha se akte të tilla po e tërheqin Suedinë në konflikte ndërkombëtare, shkruan The Guardian.
Duke paralajmëruar se kërcënimet ndaj vendit skandinav ishin shtuar pas incidenteve të fundit, Kristersson tha se po punon “ditë e natë” për t’iu përgjigjur çështjes dhe se ishte në dialog të ngushtë me Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, e cila ka dënuar protesta dhe bëri thirrje për ndërhyrjen e Kombeve të Bashkuara.
Pas bisedimeve gjatë fundjavës me Danimarkën, e cila gjithashtu ka thënë se kishte parë një rrezik të shtuar terrori si rezultat i krizës së djegies së Kuranit, Kristersson lavdëroi kryeministren daneze, Mette Frederiksen, me të cilën tha se po punonte ngushtë.
Qeveria daneze ka thënë se do të “eksplorojë” mjetet ligjore për të ndaluar protestat që përfshijnë djegien e teksteve të shenjta në disa rrethana.