Sulm i ri vdekjeprurës rus me dronë në Kiev, ka viktima e të lënduar

Sulm i ri vdekjeprurës rus me dronë në Kiev, ka viktima e të lënduar

Kryeqyteti i Ukrainës, Kievi, u ballafaqua përsëri me një sulm masiv rus me dronë gjatë natës së kaluar, thanë zyrtarët lokalë. Të paktën dy persona raportohet të jenë vrarë dhe 13 të tjerë u lënduan. Disa zjarre u shkaktuan në pjesë të ndryshme të qytetit.

Autoritetet në Kiev thanë se mbetjet e dronëve e goditën kulmin e një ndërtese banimi në distriktin qendror, Shevchenkivskyi, raporton televizioni BBC.

Në pamje të publikuara në rrjete sociale, ende të pavërtetuara nga televizioni britanik, shfaqen shpërthime në qiellin e natës, përderisa sistemet e mbrojtjes ajrore po fillonin që t’i kundërviheshin sulmit. Ushtria ukrainase gjithashtu ka paralajmëruar për rrezikun nga një sulm me raketa balistike.

Ukraina raportoi për sulmin më të madh ajror rus që nga fillimi i luftës të martën në mbrëmje, pasi 728 dronë dhe 13 raketa u hodhën drejt qyteteve në mbarë vendin në disa valë.

Në orët e hershme të së enjtes, administrata ushtarake e Kievit raportoi për sulme ruse me dronë në gjashtë distrikte të qytetit.

Kreu i administratës ushtarake lokale, Tymur Tkachenko, tha: “Fatkeqësisht, kemi dy të vdekur. Këta njerëz u vranë nga rusët. Kjo është një humbje e tmerrshme.”

Në distriktin Podilsky të Kievit, një qendër e kujdesit shëndetësor parësor “u shkatërrua gati tërësisht”, tha kryetari i qytetit, Vitaly Klitschko.

Related Articles