Një sulmues palestinez dyshohet se i ka vrarë dy persona dhe i ka plagosur dy të tjerë në një sulm me thikë në Izraelin qendror të dielën përpara se të qëllohej për vdekje nga policia, thanë autoritetet izraelite.
Goditjet me thikë ndodhën gjatë orës së pikut të mëngjesit në qytetin Holon, pranë Tel Avivit. Sulmuesi goditi me thikë njerëzit pranë një pike karburanti dhe një parku, tha shërbimi i ambulancës izraelite.
Dy të moshuar, një burrë dhe një grua, u vranë dhe dy persona të tjerë u plagosën dhe u dërguan me urgjencë në spital, thanë zyrtarët mjekësorë, raporton Reuters.
Një deklaratë e policisë tha se policia ishte e pranishme në vendngjarje dhe “po kryente kërkime të gjera me një helikopter dhe burime shtesë”.
Grupi islamik Hamas, i cili është në luftë me Izraelin në Gaza, tha në një deklaratë se sulmi me thikë ishte një “përgjigje e natyrshme” ndaj sulmeve izraelite ndaj palestinezëve dhe ndaj vrasjes së liderit të grupit, Ismail Haniyeh, javën e kaluar në Teheran.