Sulm në Nigeri: 15 të vrarë, mes tyre fermerë dhe fëmijë

Sulm në Nigeri: 15 të vrarë, mes tyre fermerë dhe fëmijë

Mbi 15 persona, mes të cilëve fermerë dhe fëmijë, humbën jetën të enjten më 31 korrik në një sulm të kryer nga militantë të Shtetit Islamik në Afrikën Perëndimore (ISWAP), në rajonin e Monguno, në verilindje të Nigerisë.

Sulmi filloi me të shtënat ndaj një grupi që po udhëtonte me një kamionçinë të hapur dhe një motor, pranë fshatit Gurnowa. Pas kësaj, një femër dhe tre fëmijët e saj humbën jetën pasi karroca e tyre goditi një minë tokësore të vendosur më parë nga xhihadistët.

“Burrat tanë transportuan trupat e 11 viktimave në Monguno, ndërsa një tjetër ekip shkoi për të marrë trupin e gruas dhe fëmijëve të saj,” tha Babakura Kolo, udhëheqës i një milicie anti-xhihadiste që mbështet ushtrinë nigeriane.

Një anëtar tjetër i milicisë, Ibrahim Liman, konfirmoi numrin e viktimave dhe shtoi: “gruaja dhe fëmijët ishin nisur për në shtëpi pas të shtënave, por ranë mbi një mjet shpërthyes të vendosur nga terroristët, duke vdekur në vend.

Gazetari i AFP konfirmoi se shumica e viktimave u ekzekutuan me plumb në kokë, përfshirë dy gra dhe dy fëmijë.

Fshati Gurnowa, rreth 5 km larg Monguno, është braktisur prej vitesh për shkak të sulmeve të vazhdueshme. Banorët tani jetojnë në kampe të improvizuara në qytet, së bashku me dhjetëra mijëra të zhvendosur brenda vendit.

ISWAP dhe rivali i tij, Boko Haram, kanë intensifikuar sulmet e fundit në shtetin e Bornos. ONU raporton se mbi 1 milion njerëz janë të kërcënuar nga uria dhe dhuna në këtë zonë. Konflikti ka shkaktuar më shumë se 40 mijë viktima dhe mbi 2 milionë të zhvendosur.

Related Articles