Të paktën 59 palestinezë, përfshirë 14 anëtarë të një familjeje, humbën jetën të premten nga bombardimet izraelite në Rripin e Gazës.
Sipas burimeve mjekësore në Gaza për Al Jazeera, 42 nga viktimat u regjistruan në qytetin e Gazës dhe në veri të territorit të rrethuar.
Në mesin e viktimave ishin 14 anëtarë të familjes Sultan, të cilët u vranë nga një sulm i vetëm mbi banesën e tyre në zonën at-Twam të qytetit.
Grupi palestinez Hamas e dënoi fushatën ajrore, duke e akuzuar Izraelin për “terrorizëm dhe krime lufte të organizuara” përmes shkatërrimit të ndërtesave banesore dhe goditjes së civilëve, veprime që, sipas tij, bien ndesh me të drejtën ndërkombëtare.
Në lagjen Daraj, zjarri nga dronët izraelitë vrau një fëmijë dhe plagosi disa të tjerë, sipas burimeve në spitalin al-Ahli. Ndërkohë, në kampin e refugjatëve Shati në veri të Gazës, një shkollë ku kishin gjetur strehë shumë persona u shkatërrua nga sulmet.
Në perëndim të qytetit, një tjetër sulm goditi një kompleks banesash pranë një objekti mjekësor të UNRWA-s, duke shkaktuar dëme të mëdha në një kullë dhe shkatërrim të plotë të shtëpive ngjitur.
Ushtria izraelite deklaroi se kishte goditur 500 objektiva në qytetin e Gazës gjatë kësaj jave, ndërsa vazhdon ofensivën për të zhvendosur rreth një milion banorë dhe për të marrë nën kontroll zonën. Sipas Zyrës së Medias së Qeverisë së Gazës, mbi 1.3 milion palestinezë, mes tyre 350 mijë fëmijë, vijojnë të qëndrojnë në qytetin e Gazës dhe në veri, pavarësisht urdhrave të vazhdueshëm për evakuim.
Krizë humanitare e thelluar
Përpjekjet e Izraelit për të zhvendosur popullsinë drejt jugut kanë krijuar një krizë të re në al-Mawasi, në Khan Younis, një zonë e shpallur si “humanitare”, por pa ujë, sanitare dhe kushte minimale jetese.
“Kjo nuk është jetë”, tha Shade al-Wawi, një palestinez i zhvendosur, për Al Jazeera.
“Po thithim pluhur, bashkë me dhimbjen dhe vdekjen.”
Sipas UNICEF-it, mbi 70 mijë njerëz kanë bërë udhëtimin e vështirë nga veriu në jug gjatë javëve të fundit, duke u përballur me mungesë hapësire dhe shërbimesh.
Lirimi i të burgosurve nga Gaza
Në një zhvillim tjetër, 13 palestinezë nga Gaza u liruan të premten nga autoritetet izraelite pas disa muaj në paraburgim në kushte të vështira. Ata u transferuan menjëherë nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq në Spitalin e Dëshmorëve të Al-Aksës në Deir el-Balah për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore.
Organizatat për të drejtat e njeriut kanë raportuar mijëra arrestime të palestinezëve që nga fillimi i ofensivës më 7 tetor 2023, shumë prej tyre të mbajtur në izolim dhe pa komunikim.
Diplomacia ndërkombëtare
Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të premten një rezolutë në mbështetje të zgjidhjes me dy shtete për konfliktin izraelito-palestinez.
Kryeministri i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, ndodhet në Nju Jork për takime me Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, Marco Rubio, dhe mundësisht me Presidentin Donald Trump, disa ditë pasi Izraeli vrau disa anëtarë të Hamasit në Doha, një akt i dënuar gjerësisht nga vendet e rajonit dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së.
Qatar ka luajtur prej kohësh rolin e ndërmjetësuesit në përpjekjet për një armëpushim mes Izraelit dhe Hamasit.