Presidenti Joe Biden nuk po e ndryshon politikën e tij ndaj Izraelit pas një sulmi vdekjeprurës që rezultoi në vdekjen e më shumë se 45 personave, tha Shtëpia e Bardhë, duke sugjeruar se incidenti nuk kishte kaluar ende “një vijë të kuqe” që do të detyronte ndryshime në mbështetjen amerikane, transmeton Gazeta Enigma.
Në vend të kësaj, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se SHBA do të kërkonte përgjigje nga Izraeli pas hetimit të vendit për incidentin, të cilin ai e përshkroi si “zemërthyes”.
“Si rezultat i këtij sulmi të dielën, nuk kemi asnjë ndryshim politikash. Thjesht ndodhi”, u tha Kirby gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë. “Izraelitët do ta hetojnë atë. Ne do të tregojmë interes të madh për atë që ata gjejnë në atë hetim. Dhe ne do të shohim se ku do të shkojë prej andej”.
Deklarat ishe treguesi më i qartë se Biden nuk ka arritur ende në pikën ku ai do të konsideronte pezullimin e dërgesave të armëve ose ndihmave të tjera për Izraelin, pavarësisht se ai tha në fillim të këtij muaji se nuk do të lejonte që disa armë amerikane të përdoreshin në një ofensivë të madhe në Rafah, shkraun CNN, përcjell Gazeta Enigma.
Kirby i bëri thirrje Izraelit të merrte masa paraprake për të mbrojtur jetët e civilëve dhe paralajmëroi se ekzistonte një rrezik që Izraeli të izolohej më shumë nga aleatët e tij tradicionalë.
Tanket izraelite u panë në Rafah qendrore të martën për herë të parë në luftën shtatë-mujore të Izraelit kundër Hamasit, duke sinjalizuar një fazë të re të ofensivës, pavarësisht presionit ndërkombëtar në rritje.
Gjatë fundjavës, Izraeli nisi një sulm ajror në një kamp zhvendosjeje në qytetin jugor të Gazës, duke vrarë dhjetëra dhe duke shkaktuar reagim global.
Pamjet treguan kampin në flakë, me dhjetëra burra, gra dhe fëmijë që përpiqeshin furishëm të shpëtonin nga sulmi. Trupat e djegur, përfshirë ato të fëmijëve, mund të shiheshin duke u nxjerrë nga nga rrënojat.
“Fjala ‘tragjike’ as që e përshkruan këtë sulm”, tha nënpresidentja Kamala Harris për incidentin, duke refuzuar të përgjigjet kur u pyet nëse kjo kalonte një vijë të kuqe.
Biden nuk ka komentuar publikisht për asnjërin zhvillim.
Përgjigja e SHBA-së ka qenë në kontrast të fortë me liderët në Evropë dhe gjetkë, të cilët dënuan ashpër veprimet e Izraelit dhe bënë thirrje për t’i dhënë fund dhunës në Gaza. /Gazeta Enigma