Sulmi në Ibër Lepenc, Zyra e BE-së në Kosovë: Deri tani nuk kemi përgjigje nga autoritetet serbe

Sulmi në Ibër Lepenc, Zyra e BE-së në Kosovë: Deri tani nuk kemi përgjigje nga autoritetet serbe

Në mbrëmjen e 29 nëntorit të 2024 në Varage të Zubin Potokut ndodhi një shpërthim në kanalin e Ibër-Lepencit.

Pas sulmit, autoritetet e Kosovës njoftuan se për shkatërrimin e kanalit ishin përdorur mbi 15 kilogramë eksploziv, sulm ky që nga autoritetet u cilësua si terrorist.

Madje, ekspertët e sigurisë patën theksuar se përmasat e sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit i kalojnë ato të Banjskës, pasi qëllimi ishte të dëmtohej infrastruktura kryesore e shtetit dhe do të afektonte direkt qytetarët.

E pas sulmit në Ibër Lepenc, zyrtarë shtetërorë të Republikës së Kosovës theksuan se akti terrorist është i drejtuar nga Serbia.

Pas këtij sulmi, autoritetet shtetërore të Kosovës përmes Zyrës së BE-së kanë kërkuar informata nga autoritetet në Beograd, por që deri tani nuk ka përgjigje.

Lidhur me këtë, zëdhënësja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Ioanna Lachana në një deklaratë për Telegrafin tha se kërkesa për ndihmë të ndërsjellë juridike u dërgua përmes Zyrës së Përfaqësuesit Special të BE-së në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë më 15 janar 2025, por deri më sot nuk ka marr përgjigje.

“Pas sulmit në kanalin Ibër Lepenc në veri të Kosovës, Zyra e Përfaqësuesit Special të BE-së ka pranuar një letër nga Ministria e Drejtësisë së Kosovës më 13 janar 2025, e cila ka transmetuar një kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike nga Prokuroria Speciale e Kosovës tek autoritetet përkatëse në Serbi.

E njëjta kërkesë për ndihmë të ndërsjellë juridike u dërgua përmes Delegacionit të BE-së në Beograd në Ministrinë e Drejtësisë së Serbisë më 15 janar 2025. Deri më sot, asnjë përgjigje nuk është marrë nga autoritetet serbe”, tha ajo për Telegrafi.

Tutje, Lachana theksoi se në dhjetor 2024, Këshilli shprehu pritshmërinë e tij që autorët të kapeshin dhe të sillen para drejtësisë.

Këshilli gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet përkatëse.

Ndryshe, në masën e paraburgimit lidhur me sulmin në Ibër Lepenc janë dy të dyshuar, vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq. 

Related Articles