Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka reaguar lidhur me sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku si pasojë e shkëmbimit me armë zjarri, mbeti i vrarë polici, Afrim Bunjaku.
Përmes një postimi në platformën X [ish-Twitter], Baerbock ka thënë se të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre për paqe.
Sipas saj, në situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë që palët do të bëjnë për të depërshkallëzuar situatën.
Shefja e diplomacisë gjermane ka veçuar Serbinë, duke thënë Beogradi zyrtar duhet të bëjë thirrje për heqje dorë nga dhuna.
“Pas sulmit ndaj policisë në Kosovë, të gjithë duhet të jenë të vetëdijshëm për rolin e tyre në paqe. Në situatën e tensionuar në Ballkanin Perëndimor, përgjegjësia matet me atë që bëni për de-përshkallëzimin. Serbia në veçanti duhet të bëjë thirrje pa mëdyshje për heqjen dorë nga dhuna”, shkroi Baerbock.
Ndryshe, Policia e Kosovës konfirmoi sot se ka arritur në tetë numri i të arrestuarve lidhur me sulmin në Banjskë më 24 shtator.
Një grup i armatosur, që sipas autoriteteve përbëhej prej rreth 30 personash, sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator, duke lënë të vrarë rreshterin Bunjaku.
Policia tha se tre sulmues të dyshuar u vranë gjatë shkëmbimit të zjarrit në manastirin e Banjskës, ku u strehua ky grup i armatosur.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla ka akuzuar Millan Radoiçiqin, nënkryetar të Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve në Kosovë – se ka organizuar dhe ka marrë pjesë në sulm.
Më 26 shtator, Sveçla publikoi një video të incizuar me dron, ku pretendohet se shihet Radoiçiqi i armatosur në Banjskë.
Lista Serbe – partia që ka mbështetjen e Beogradit – e as institucionet në Serbi nuk kanë reaguar lidhur me akuzat e Kosovës për përfshirjen e pretenduar të Radoiçiqit.
Kosova e ka bërë përgjegjëse Serbinë për sulmin, ndërsa Beogradi zyrtar serbët e Kosovës.