Të paktën 17 persona janë plagosur të premten në Izrael, pasi Irani ka lëshuar një breshëri të re raketash, kanë bërë të ditur autoritetet shëndetësore dhe shërbimet e emergjencës.
Sipas raportimeve, tre prej të plagosurve janë në gjendje të rëndë, përfshirë një djalë 16-vjeçar, i cili është goditur nga copëza e raketave.
Pamje të publikuara nga spitali Rambam në Haifa tregojnë momentin kur paramedikët transportojnë një person të plagosur në një barrelë, duke e futur në oborrin e spitalit.
Autoritetet e emergjencës në Haifa u kanë thënë banorëve se mund të largohen nga hapësirat e mbrojtura, duke sinjalizuar se rreziku nga raketat iraniane është kaluar përkohësisht.
24 persona janë vrarë në Izrael si pasojë e sulmeve me raketa iraniane gjatë javës së kaluar.