Supërheronjët në Pediatri, do të mbështesin pacientët e vegjël

Supërheronjët në Pediatri, do të mbështesin pacientët e vegjël

Njësoj si vitin e kaluar edhe këtë vit do të zhvillohet aktiviteti tradicional i alpinizmit urban në ndërtesën e Pediatrisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Aktivitet ky që do të jetë nën organizimin e Klubit Alpin Prishtina dhe Care for Kosovo Kids.

Siç njoftohet, ky aktivitet ka për qëllim të rrisë ndërgjegjësimin dhe të mbledhë fonde për nevojat specifike të pacientëve të vegjël në onkologji, duke ofruar një mundësi për të kontribuar në përmirësimin e kushteve të trajtimit të fëmijëve të prekur nga kanceri.

Sipas një njoftimi në Facebook, aktiviteti do të mbahet me datë 13 dhjetor, duke filluar nga ora 11:00.

Tutje bëhet e ditur se alpinistët e KAP të maskuar si super heronjtë e kohëve moderne me lëshime alpine do të ofrojnë gëzim, dhurata dhe befasi për të vegjlit nëpër katet e pediatrisë, gjithnjë nën mbikëqyrjen e stafit mjekësor të klinikës.

“Këto akte me dedikim dhe kauzë janë mënyra jonë e shfaqjes së falënderimit, përkrahjes dhe mirëkuptimit për stafin mjekësor të vendit tonë, për prindërit dhe fëmijët, për stafin e Care for Kosovo Kids dhe dhuruesit e shumtë të mjeteve. Përveç kësaj, është rritje e përgjegjësisë sociale dhe forcim i lidhjeve njerëzore të cilat nuk kanë çmim dhe krijojnë ndjenjën e përkatësisë dhe humanitetit në mes nesh”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se kjo ngjarje zhvillohet me ndihmën e Ministrisë së Shëndetësisë, Komunës së Prishtinës, Menaxhmentit të QKUK, Bankës Ekonomike si dhe me partnerë e përkrahës të tjerë të cilët në çdo mënyrë e përkrahin aktivitetin dhe dhurojnë mjete për fondin në fjalë. /Gazeta Enigma

Related Articles