Të premten Gjykata Supreme e ka hedhur si të pasafatshme ankesën e Shoqatës “Down Syndrome Kosova” kundër PZAP-së, e cila e pati refuzuar ankesën e shoqatës ndaj udhëzuesit të KQZ-së për votim me asistencë.
Përmes ankesës, shoqata kërkoi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve para organizimit të çdo procesi zgjedhor të ardhshëm, të rishikojë dhe harmonizojë Udhëzuesin për Procedurat e Votimit me Asistencë me dispozitat kushtetuese, ligjore dhe me standardet ndërkombëtare që garantojnë të drejtën e votës, duke siguruar që të mos pamundësohet ushtrimi i së drejtës së votës për personat me aftësi të kufizuara.
“Gjykata Supreme e Kosovës e vlerësoi ligjshmërinë e vendimit të kontestuar, në kuptim të pretendimeve ankimore, përgjigjes në ankesë, dhe pas shqyrtimit edhe të shkresave të lëndës, gjeti se: Ankesa është e pasaftshme”, thuhet në njoftimin e Supremes.
Supremja në arsyetimin e saj ka thënë se ankesa është paraqitur jashtë afatit ligjor.
“Nga shkresat e lëndës konstatohet se vendimin Shoqata Down Syndrome Kosova, e ka pranuar më datën 05.12.2025 në orën 15:52h., ndërsa ankesën kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e ka dorëzuar në Gjykatën Supreme më datë 08.12.2025 në ora 13:20h, e që rrjedhimisht rezulton se ankesa është dorëzuar pas kalimit të afatit prej dyzet e tetë (48) orëve”, thuhet në vendimin e Gjykatës Supreme.
