Supremja e kthen në rivendosje vendimin e PZAP-së për zgjedhjet në Kllokot

Supremja e kthen në rivendosje vendimin e PZAP-së për zgjedhjet në Kllokot

Gjykata Supreme ka vlerësuar se Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parapshtesa (PZAP), gabimisht ka hedhur poshtë ankesën e kandidatit shqiptar për kryetar komune në Kllokot, Arbër Emini, për çka ka kërkuar nga PZAP-ja të rivendosë për këtë rast.

Supremja vlerëson se nga pretendimet që dalin nga ankesa, Emini është ankuar për procesin dhe parregullsitë gjatë ditës së votimit dhe jo kundër rezultateve preliminare të tabuluara nga KQZ-ja, ashtu siç ka pretenduar PZAP-ja në vendimin e saj.

Arber Emini me datë 13.10.2025, është ankuar në PZAP, me pretendimin se “me datë 12.10.2025 në Zgjedhjet Lokale në Kllokot, Serbia ka ndërhyrë në sistemin zgjedhor në Komunën e Kllokotit, duke fabrikuar dëshmi mjekësore serbe të strukturave paralele për t’u shfrytëzuar votuesit me asistencë të përdorin këtë vërtetim mjekësor”.

Arbër Emini, kandidat i pavarur, njëkohësisht i vetmi shqiptar në garën për kryetar të Kllokotit, ka marrë 24% të votave, 518 vota gjithsej. Para tij renditen dy kandidatë serbë: Sreçko Spasiq nga partia “Srpska Narodna Sloga” me 31 për qind ose 673 vota, dhe Bozhidar Dejanoviq nga Lista Serbe, që ka dalë i pari me 41 për qind apo 883 vota.

Related Articles