Shkrimtari dhe publicisti Veton Surroi, ka thënë se Serbia është para një zgjedhjeje historike, ose të bëhet pjesë e Perëndimit, ose të bëhet enklavë ruse.
“Jemi në momentin e kthesës historike dhe në atë moment të kthesës historike nuk ekziston hapësirë e ndërmjetme, nuk mund të thuash unë po rri të shoh se çka do të ndodhë. Është si pas rënies së murit të Berlinit, shtetet të cilat kanë zgjedhur të shikojnë se çka do të ndodhë pas rënies së murit të Berlinit kanë mbetur jashtë, për shembull Serbia, Serbia ka qenë shteti i vetëm që ka insistuar të mos ketë zgjedhje të lira në vitin ’90 dhe ka pësuar shumë dhe tani është para një zgjedhjeje historike, zgjedhja historike është kjo: Ose do të jetë pjesë e Perëndimit, ose do të jetë enklavë ruse”, ka thënë Surroi në Rubikon, në Klan Kosova.
Ai tha se indikatorët e Serbisë tregojnë se diku 70 për qind Serbia eksporton në Bashkimin Evropian si dhe ka shumë të punësuar serbë në vendet perëndimore.
“Indikatorët e tyre tregojnë se diku 70 për qind e eksportit nga Serbia shkon në Bashkimin Evropian. 65 për qind e investimeve të huaja në Serbi janë të vendeve të BE-së, 75 mijë punëtorë janë të punësuar në ndërmarrje gjermane, 100 mijë e kusur punëtorë janë të punësuar nga investimet e BE-së. Imagjinoni për një moment që BE-ja nëpërmjet të sanksioneve të zgjatura ndaj Rusisë thotë dakord tregu ynë është i mbyllur për ju, dhe kjo do të thotë se jo vetëm investimet e BE-së por edhe ato kineze që janë afër atyre të BE-së, sepse kina investon në Serbi për shkak të afërsisë me Bashkimin Evropian”, ka shtuar ai.