Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas suspendimit të katër policëve të njësisë speciale nga policia e Kosovës për shkak të siç u raportua në media të shakasë me kryeparlamentarin, Dimal Basha në një grup të brendshëm mes tyre.
Kryetari i Sindikatës së Policisë, Avdi Hoti tha për RTV21 se janë të informuar për rastin dhe se janë të bindur në pafajësinë dhe profesionalizmin e katër zyrtarëve të suspenduar nga detyra por nuk dha detaje mbi arsyen e suspendimit.
“Sindikata e Policisë së Kosovës njofton se është informuar nga përfaqësuesi sindikal i zyrtarëve policorë lidhur me rastin në fjalë. Ne po e ndjekim nga afër procesin që është duke u zhvilluar ndaj katër zyrtarëve policorë, të cilët aktualisht janë të suspenduar nga detyra. Sindikata e Policisë së Kosovës shpreh bindjen e saj të plotë në pafajësinë dhe profesionalizmin e këtyre zyrtarëve dhe beson se pas përfundimit të kësaj periudhe të suspendimit, ata do t’i kthehen detyrave të tyre”, tha Hoti.