Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se pas sakrificash të gjata e të mundimshme të popullit për liri, 25 vjet më parë erdhi dita që të themelohej edhe shërbimi policor i Kosovës, për të cilin tha se ishte domosdoshmëri e kohës dhe e vendit.
Këto komente Sveçla i bëri në ceremoninë e 25-vjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës.
I pari i MPB-së tha se në 4 vite të mandatit të tij, policia ka shënuar “rezultate të jashtëzakonshme, si në goditje të grupeve kriminale, rrjeteve e laboratorëve të drogës, terrorizmit, kontrabandës, korrupsionit e më e rëndësishmja, ka mbrojtur me çdo çmim integritetin tonë territorial dhe shtrirjen e sovranitetit, veçanërisht në veri të vendit”.
“Ajo zonë e vendit tonë, ku jeta e zyrtarëve tonë policorë, pjesëtarëve të KFOR-it e EULEX-it, gazetarëve por edhe qytetarëve, është rrezikua nga grupe kriminale e terroriste të dirigjuara nga Serbia, po i kthehet çdo ditë e më shumë normalitetit të munguar prej një çerekshekulli. Këtë muaj bëhen një vit prej sulmit terrorist në Banjskë, ku në pritën e organizuar nga një grup terrorist, me minë kundër këmbësorisë u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Ky sulm terrorist shfaqi aspiratat e vazhdueshme të Serbisë ndaj territorit tonë dhe parandaloi realizimin e skenarit të saj për aneksimin e veriut të vendit. Drejtësia për Afrim Bunjakun dhe llogaridhënia e Serbisë për organizimin e këtij sulmi janë të domosdoshme”, deklaroi Sveçla.