Sveçla i reagon Qalajt: S’ka rrugë tjetër pos luftimit të krimit

Sveçla i reagon Qalajt: S’ka rrugë tjetër pos luftimit të krimit

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i ka reaguar deputetit të Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj, që e akuzoi të enjten në Kuvend se i ka mbajtur në takim shefat e hetimeve për 12 orë.

Sveçla ka shkruar në Facebook të enjten se deklarimet e ish-drejtorit të Policisë së Kosovës nuk janë qëllimmira, derisa u shpreh se deputeti i PDK-së ende mendon se Departamenti i Hetimeve duhet t’i raportojë atij. Ai ka shtuar se “rruga e vetme e MPB-së është luftimi i krimit”.

“Takimi i përmendur sot ka qenë prezantim i të arriturave të Policisë në fushën e luftimit të krimit, në formatin e punëtorisë (për ironi të fatit, në objektin që është pronë e MPB-së). Pjesëmarrësit e atij takimi kanë qenë me autorizimin e eprorit të Policisë dhe kabineti im. Policia e Kosovës është Agjenci Ekzekutive nën ombrellën e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Është detyrë e imja që të kërkoj prezantim apo raport mbi të gjitha angazhimet që Policia e Kosovës i ka në mandat dhe të obliguara ligjërisht që t’i zbatoj. Kjo vlen për të gjitha agjencitë që mbulon Ministria e Punëve të Brendshme. Lufta jonë ndaj krimit do të vazhdojë, përkundër sulmeve e përpjekjeve për të minuar këtë proces. Për këdo që ka dilema në këtë, më vjen keq për ta, është proces i pakthyeshëm dhe natyrisht për disa edhe i dhimbshëm. Ne nuk kemi pranuar të shantazhohemi nga asnjë rrethanë, sot më shumë së kurrë as nuk shantazhohemi as nuk zmbrapsemi”, ka shkruar Sveçla.

Deputeti i partisë opozitare ka thënë para deputetëve se takimi i Sveçlës me shefat e hetimeve “është i kundërligjshëm, i tmerrshme dhe frikësues”.

“Në fillim të marsit, në objektin në Parkun Nacional në Blinajë, jashtë objektit të Ministrisë, Sveçla ka mbajtur në takim 12 orë shefat e hetimeve duke i raportuar për raportin vjetor. Është e kundërligjshme, e tmerrshme, frikësuese dhe nuk guxon të ndodhë. Disa njësi japin llogari direkt, siç është Task-Forca, te Prokuroria Speciale dhe tash detyrohen që t’i raportojnë ministrit. U bëj thirrje që të largohen nga ndikimi i drejtpërdrejt nga organet e drejtësisë, sidomos organet e ndjekjes. Ata kanë udhëheqës, menaxher, është drejtori i Policisë që i jep llogari ministrit. Është e tmerrshme dhe kjo nuk duhet të ndodhë”, ka thënë Qalaj.

Related Articles