Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës Xhelal Sveçla po qëndron për një vizitë në Gjermani ku është takuar me homologun e tij nga Bavaria Joachim Herrmann.
Në këtë takim, ministri Sveçla ka shprehur mirënjohjen ndaj shtetit gjerman për shtet-ndërtimin dhe ngritjen e kapaciteteve të Kosovës.
“Biseduam për prioritetet tona në luftën ndaj krimit të organizuar, korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe zhvillimin socio-ekonomik veçanërisht tani gjatë përballjes me pandeminë COVID-19. Liberalizimi i vizave për qytetarët tanë, anëtarësimi në BE dhe Interpol janë synimet tona për të cilat e njoftova që jemi duke u angazhuar intensivisht për t’i realizuar dhe që natyrisht kemi nevojë edhe për angazhimin dhe ndihmën e tyre”, shkruan Sveçla në Facebook.
Në takim është biseduar edhe për thellimin e bashkëpunimit mes Policisë së Bavarisë dhe Policisë së Kosovës, bashkëpunimin në shkëmbim të informatave dhe zgjerim të bashkëpunimit bilateral të ministrive.
Duke pasur parasysh që një numër jashtëzakonisht i madh i qytetarëve tanë jetojnë në zonën e Bavarisë dhe në gjithë Republikën e Gjermanisë, ministri Sveçla tha se kanë biseduar edhe për politika konkrete që lehtësojnë jetën dhe angazhimet e tyre atje.
“Ne tanimë jemi në fazën finale të njohjes së patentë-shoferëve të Republikës së Kosovës nga Gjermania dhe këta janë hapat tanë konkret në këtë drejtim”, ka thënë Sveçla.