Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, gjatë ditës ka ndarë arritjet në në forcimin e sigurisë dhe sundimit të ligjit, me theks të veçantë në pjesën veriore të vendit.
Sipas Sveçlës, 17% e territorit të Kosovës në atë pjesë më parë ishte në një situatë të rëndë të sigurisë derisa sot falë veprimeve të ndërmarra atje është rikthyer siguria.
”Në këtë periudhë, janë ngritur 9 nënstacione të reja për sigurinë kufitare dhe është siguruar infrastruktura e rrjetit të Valës dhe radiolidhjeve për Policinë e Kosovës”.
Tutje ai një pjesë të prezantimit e ndau për betejën në Banjskë të cilën e quajti fitore të rëndësishme për sigurinë e vendit ku u parandalua aneksimi i territorit të Republikës.
”Ne kemi fituar në Banjskë për shkak të përgatitjeve të mëdha paraprake”, shtoi Sveçla, duke theksuar se shëmbëlltyra e asaj fitore është rënia e rreshterit Afrim Bunjaku.
Ministri Sveçla përmendi sipas tij arritjet tjera, me kthimin e sigurisë dhe sovranitetit në pjesën veriore duke kujtuar që tash në pjesën veriore shpenzohet 35% më pak energji, ”35% energji pra që më parë vidhej”.
”Të gjitha sukseset tona nuk janë arritur vetëm për shkak të vullnetit të policëve ose të ministrisë së brendshme por edhe për shkak të vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje! që rendi dhe ligji, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, të jetë objektivi numër 1 i qeverisë Kurti”, tha në fund ai. /Gazeta Enigma