Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë se policët serbë që kanë dhënë dorëheqje masive vitin e kaluar, nuk mund të kthehen në punë rishtazi, siç kërkoi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Ajo është histori e shkuar. Absolutisht, kjo nuk mund të ndodhë, as nuk do të ndodhë. Sipas ligjeve të Kosovës, në qoftë se dikush jap dorëheqje nga policia, pavarësisht se kush është ai, ekzistojnë procedurat e duhura për ta pranuar atë dorëheqje”, tha Sveçla në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
“Ne i kemi pritur ata zyrtarë rreth 30 ditë për t’i rishikuar potencialisht vendimet e tyre. Kjo nuk ka ndodhur. Ne kemi vazhduar me punën tonë të përditshme. Kemi vazhduar me proceset e rekrutimit të pjesëtarëve të komunitetit serb. Shumë shpejt do ta përmbyllim këtë proces, ku komuniteti serb do të jetë i përfaqësuar në Policinë e Kosovës mjaftueshëm përtej numrave minimalë që i parashohin Kushtetuta dhe ligjet tona”, u shpreh ai.
I pyetur nëse ata mund të mund të kandidojnë sërish, Sveçla u përgjigj pozitivisht, “me kusht që janë nën 30 vjeç dhe nuk kanë të kaluar kriminale”.
“Sipas ligjeve të Kosovës, çdo i ri apo e re, shtetas i Republikës së Kosovës, mund të aplikojë për t’u bërë pjesë e Policisë së Kosovës nëse është nën moshën 30-vjeçare dhe nëse i plotëson kushtet tjera të parapara, si aftësia fizike, aftësia psikologjike, edukimi i duhur, verifikimi i pastërtisë dhe i së kaluarës kriminale. Kur këto plotësohen, atëherë është e mundshme që dikush të pranohet në Policinë e Kosovës”, deklaroi ministri.