Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se njohja e patentë shoferëve të Kosovës nga Gjermania është lehtësim i jetës dhe veprimtarive të kosovarëve që jetojnë atje.
Sveçla tha se kjo vjen si rezultat i angazhimit të madh të ekipeve si dhe kërkesave të shpeshta të kosovarëve që jetojnë në Gjermani.
“Një lajm i mirë për Kosovën dhe qytetarët tanë në Gjermani. Në mbledhjen e Bundesratit Gjerman, sot është votuar njohja e ndërsjellë e patent shoferëve mes Republikës Federale të Gjermanisë dhe Republikës së Kosovës”.
“Ky sukses është rezultat i një angazhimi të madh të ekipeve tona, të cilët gjej rastin ti falënderoj për punën e tyre të palodhshme si dhe kërkesa më e shpeshtë e qytetarëve tanë kudo nga Gjermania. Që nga marrja e detyrës kemi punuar intensivisht që ky proces të përfundojë suksesshëm dhe sa më parë”, ka shkruar Sveçla.
Ai tutje ka deklaruar se ka marrë aprovimin nga Qeveria e Kosovës për nismat e marrëveshjeve të tilla edhe me Turqinë dhe Kanadanë si dhe është në proces me Italinë dhe Austrinë. /Gazeta Enigma/.