Ministri i Punëve të Brendshme bashkë me eprorët e Policisë së Istogut dhe Njësitin e Hetimeve Rajonale nga Peja, vizituan sot shtëpinë e djegur të qytetarit të komunitetit serb nga fshati Veriq.
Përmes një videopostimi në Facebook, Sveçla thotë se ka kërkuar mobilizim të resurseve shtetërore për të zbardhur rastin.
“Kam kërkuar që të gjitha resurset e nevojshme të angazhohen në mënyrë që rasti të zbardhet sa më parë, ndërkaq edhe njëherë i ofrova Policisë gatishmërinë e plotë për të ndihmuar në lidhje me këtë rast”.
“Republika e Kosovës është dhe do të mbetet demokratike, vend ku jetojnë qytetarët të lirë e të barabartë, pa asnjë dallim përkatësie a prejardhje. Dhe për këto vlera do të jemi të pakompromis”, ka shkruar tutje Sveçla.
Për ngjarjen në fjalë kanë reaguar edhe institucionet vendore dhe ambasadat e akredituara në Kosovë.
Përmes një shkrimi në Twitter, Hovenier këtë veprim e kishte quajtur kriminal.
“Kjo shtëpi në Istog ka pësuar një zjarrvënie kriminale. E vizitova për ta parë vetë, me lejen e familjes, e cila synonte të kthehej në pronën e tyre. Unë e dënoj këtë sulm me zjarrvënie dhe këtë përpjekje për të frikësuar një familje që të mos ushtrojë të drejtën e tyre për t’u kthyer në shtëpinë e tyre”, tha Hovenier.
Ndryshe, shtëpia e një qytetari serb në fshatin Veriq komuna e Istogut, gjatë ditës së hënë ishte përfshirë nga zjarri.