Punëtorët shëndetësor kanë protestuar sot para Ministrisë së Shëndetësisë për shkak të pakënaqësive kundrejt ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia lidhur me menaxhimin e pandemisë COVID.
Kryetari i Sindikatës së Mjekëve, Blerim Syla para gazetarëve ka thënë se Vitia ka neglizhuar dhe injoruar çdo mjek e infermier.
“Nga këtu, përmes mediave, i bëj thirrje ministrit Vitia, që të kthejë sytë nga punëtorët. Ai u tregua neglizhent. Injoroi çdo mjek e çdo infermier. Kjo është arsyeja pse po protestojmë. Kjo nuk do të jetë e vetmja e ditës, pasi edhe nga ora 13:00 do të jemi para kryeministrisë. Thjesht duam të përçojmë mesazh tek ai”, tha ndër të tjera Syla.
Syla u ankua edhe se ministri Vitia nuk i ka ftuar ata në takim për t’i dëgjuar kërkesat e tyre.
“Mu në këtë ndërtesë z.ministër Arben Vitia përgjatë gjithë këtyre muajve, mu në kohën e pandemisë e ka neglizhuar totalisht punëtorin shëndetësor dhe ka ndërpre çdo dialog social. Ka qenë vetëm një takim atëherë kur ne kemi ofruar ndihmë për vaksina dhe asgjë më tepër. Si rrjedhojë e kësaj, z.Vitia që edhe sot qëndron në këtë kolltuk as që ka ftuar që të vazhdohet me dialog social dhe t’i dëgjojë kërkesat tona”, ka thënë më tutje ai.
Kryetari i Sindikatës së Mjekëve tha se situatat tani është me e rëndë se kurrë më parë.
“Sot situata është me e rëndë se kurrë më parë. Kemi shkelje të të drejtave të infermierëve, të mjekëve, të specializantëve, të pastruesve dhe të gjithë zinxhirët e tjerë komandues, vetëm e vetëm për neglizhencën e z.Vitia i cili punëtorin shëndetësorë që është përgjegjësi e tij e ka lënë nën mëshirë të disa menaxherëve të vegjël dhe vartësve të tyre”, ka thënë më tutje Syla.