Sylvinho është trajneri i ri i Shqipërisë. Ashtu siç pati paralajmëruar SuperSport në mënyrë ekskluzive pak ditë më parë, FSHF ka zyrtarizuar pasditen e sotme brazilianin, si kreun e pankinës së Kombëtares Kuqezi.
Marrin fund kështu dilemat mbi zëvendësuesin e Edi Rejës, me FSHF-nē që mes disa alternativave, zgjodhi pikërisht brazilianin për t’i besuar misionin Euro 2024.
Bashkë me Sylvinhon, në krah të tij do të jetë braziliani tjetër, Doriva, si dhe argjentinasi Pablo Zabaleta, të cilët do të jenë ndihmësit e trajnerit të ri kuqezi, me stafin që do të debutojë në mars, me eliminatoret e Euro 2024-ës.
Marrëveshja mes FSHF dhe stafit të ri drejtuar nga Silvinjo parashikon një kohëzgjatje 18-mujore deri në përfundim të Euro 2024 dhe aspekti financiar do të bazohet në rezultatet dhe arritjen e objektivave. Marrëveshja ka në thelb të saj arritjen e objektivit të vetëm që ka Shqipëria në këto eliminatore, kualifikimi për në finalet e Euro 2024. Në rast të arritjes së objektivit është rënë dakord që trajneri dhe stafi i tij të përfitojnë bonuse të konsiderueshme.
48 vjeҫari Silvinjo, i cili vjen me një CV të pasur si lojtar dhe trajner, ka një eksperiencë të pasur si zëvendës trajner menjëherë pas lënies së futbollit dhe trajner më pas. Gjithçka nis në 2011 kur merr pozicionin e zëvendës trajnerit te Cruzeiro, për të kaluar më pas te Sport Recife, Nautico, Corinthias, Inter, zëvendës trajner i Brazilit për tre vite përpara se të merrte drejtimin e Olimpik Lionit në Francë dhe më pas Korinthiasit në kampionatin brazilian.
Në karrierën e tij të pasur si lojtar, Silvinjo është aktivizuar te Corinthias, Arsenal, Celta Vigo, Barcelona dhe Manchester City ku mbylli karrierën e tij.
Më datë 9 janar, Silvinjo dhe stafi i tij do të jenë në Tiranë për të hedhur firmat në kontratë dhe më pas për të bërë prezantimin e tyre në ora 11:00 në sallën e stadiumit “Air Albania”.