Sylvinho ka përjetuar shumë momente të bukura si futbollist, ndërkohë që si trajner momentin më të bukur po e shijon te Shqipëria. Braziliani po zhvillon një punë fantastike me kuqezinjtë, të cilët i ka udhëhequr drejt kualifikimit në Euro 2024.
“Kjo është një ëndërr për mua. Nëse dikush do të më pyeste një apo dy vite më parë: a do të shkosh te Shqipëria? Unë do i përgjigjesha: nuk e di…
Dua të them është se kur je trajner, ose dhe lojtar, gjërat ndodhin shumë shpejt. Preferoj të përjetoj momentin. Objektivi ynë është të përgatitim ekipin kombëtar për 6-7 muajt e ardhshëm”, thekson Sylvinho për Eurosport.
Më pas një koment për stilin e tij të punës, që bazohet te marrëdhënia e ngushtë me futbollistët dhe komunikimi i drejtpërdrejtë me ta.
“Unë besoj shumë te marrëdhënia me lojtarët. Është ndryshe kur në mes futet një përkthyes, është ndryshe kur flet me zemër dhe i sheh djemtë në sy. Gjithashtu ka shumë rëndësi të flasësh me lojtarë të caktuar, por më e rëndësishmja është zemra dhe shpirti që ke në skuadër.
Pa këto nuk mund të luash. Mund të jesh futbollist i madh, mund të jesh ndryshe dhe i veçantë, por nëse nuk ke frymën dhe shpirtin e grupit, ti nuk mund të arrish objektivin. Futbolli nuk është një lojë individuale”, theksoi 49-vjeçari.