Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka folur për mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore, ku ka theksuar se fillimi i mbledhjes së firmave të nevojshme për peticionet për tërheqjen e kryetarit do të përfaqësonte një sinjal të rëndësishëm dhe do të garantonte se bojkoti i zgjedhjeve të prillit nuk do të përsëritet.
Sipas tij, në të njëjtën kohë, BE-ja vazhdon ta konsiderojë dorëheqjen e kryetarit si një rrugë më të shpejtë dhe efikase përpara.
“Ne i kemi ftuar vazhdimisht të gjithë akterët politikë, në të gjitha nivelet e qeverisjes, si në Kosovë ashtu edhe në Serbi, që të angazhohen në mënyrë konstruktive në procesin që çon në zgjedhjet e parakohshme lokale në veri të Kosovës. Siç e kemi thënë disa herë deri më tani, edhe pse zgjedhjet e prillit 2023 janë mbajtur në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës, ato nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë. Mbajtja e shpejtë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës është ende vendimtare. Fillimi i grumbullimit të firmave të nevojshme për peticionet për shkarkimin e kryetarit do të përfaqësonte një sinjal të rëndësishëm dhe do të garantonte se bojkoti i zgjedhjeve të prillit nuk do të përsëritet. Në të njëjtën kohë, BE-ja vazhdon ta konsiderojë dorëheqjen e kryetarit si një rrugë më të shpejtë dhe më efikase përpara”, është shprehur Szunyog për Kosovo-Online.
I pyetur rreth kërkesës së BE-së për të reduktuar praninë e njësive speciale të policisë pranë ndërtesave komunale, dhe për masat shtesë ndaj Kosovës nëse nuk përmbushen kërkesat, Szunyog shtoi:
“Në fakt, Kosova ka ndërmarrë hapa për të reduktuar praninë e policisë brenda dhe përreth ndërtesave komunale në veri të Kosovës. Gjithashtu ka miratuar Udhëzimin Administrativ që përcakton mënyrën ligjore për shkarkimin e kryetarit të komunës. Megjithatë, duke qenë se pyetja juaj ka të bëjë me masat, dua të theksoj se masat vendosen nga 27 shtete anëtare të BE-së. Për të kujtuar, në deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së nga 19 shtatori, në emër të të gjitha vendeve anëtare të BE-së, theksohet se BE-ja është e gatshme t’i anulojë këto masa në rast të progresit në përmbushjen e kërkesave ekzistuese, ose të vlerësojë masa të mëtejshme ndaj të dyja palëve, nëse është e nevojshme.