Në qoftë se Qeveria e Kosovës do ta shtyjë afatin për regjistrimin e veturave në targat RKS, analistja Arta Tahiri Beqa, tha se do të krijohet një jo seriozitet shtetëror.
Beqa vlerësoi se do ketë shtyrje të këtij afati, mirëpo sipas saj, do jetë në një afat kohor shumë të shkurtër.
“Ndërkohë kemi viktimizimin e vazhdueshëm të shtetit të Serbisë dhe të Vuçiqit. Tani, do e shohim a do ketë realisht në fazën përfundimtare shtyrje apo jo, unë mendoj që do shtyhet. Mirëpo, nuk mund ta mohojmë që çështja e targave ka të bëjë pikërisht edhe me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Prandaj, besoj se do shtyhet një afat, mirëpo jo një afat shumë i gjatë, mund të jetë një afat kohor shumë i shkurtër. Por, për mendimin tim do ishte e drejtë të mos shtyhej afati për shkak se kjo do krijonte joseriozitet shtetëror”, deklaroi Beqa në emisionin “Këndi i Debatit”.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës ta shtyjë afatin për regjistrimin e veturave në targat RKS.
Mirëpo, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është i prerë në vendimin për targat, ai ka thënë se afati i fundit për konvertimin e targave ilegale në targa RKS është 31 tetori.