Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë sot se një nga skandalet më të mëdha që Qeveria Kurti ka prodhuar ndërlidhet me rezervat shtetërore.
Ai tha se procedurat për t’i klasifikuar rezervat shtetërore si sekret shtetëror janë të kundërligjshme.
Për këtë, Tahiri paralajmëroi padi ndaj ministres së Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Po ashtu, ai ka kërkuar dorëheqjen e ministres Hajdari për keqpërdorimet që ai po pretendon se kanë ndodhur në kohën kur ajo e drejton ministrinë e Tregtisë. Sipas tij, kryeministri Kurti duhet ta zëvendësojë atë me ndonjë “zonjë apo zotëri” të nderuar.
“Një prej skandaleve të më mëdha i keni rezervat shtetërore. Procedurat e cilat janë klasifikuar si sekret shtetëror të rezerva shtetërore janë të kundërligjshme. Do të iu padisim dhe do të iu ndjekim në gjykatë për këtë rast. Vendi ku ruhen rezervat është normale me qenë sekret shtetëror, ajo s’duhet me u ditë, por sa është dhe si është blerë, procedura, kompanitë, nuk munden me qenë sekrete shtetërore”, tha ai në Kuvendin e Kosovës.
Prandaj, Tahiri tha se me këtë çështje Hajdari do të ballafaqohet në gjykatë, pasi siç tha ai ka pasur keqpërdorime me rezervat e shtetit.
“I keni vendet si Gjermania, ShbA-të i gjeni të dhënat në internet. Ka bërë një gabim goxha të rëndë. Kjo ka bërë vepër penale që do të ballafaqohet. Ato rezerva shtetërore i kanë blerë prej një kompanie të ndërtimit. Ndërmjetësuesi ka qenë një furrë në Kosovë, ka ndërmjetësuar të blihen rezervat shtetërore në Turqi, dhe në fund ka dështuar dhe i kanë kërkuar ndihmë ambasadës turke”, shtoi ai.
Tahiri deklaroi se Hajdari ka keqpërdorur edhe rezervat e vajit në Kosovë.
“Ata kanë thënë ‘është dashur një kompani serioze të jetë e angazhuar, nuk do të duhej të angazhohej një furrë buke me ble grurë nga një kompani ndërtimi në Turqi’. Këta e kanë shkaktuar një dëm jashtëzakonisht të madh që sot është i klasifikuar si sekret shtetëror. Ajo është çështje muajsh për sa ministrja nuk do të ndiqet penalisht. E kemi çështjen e rezervave të vajit që s’po e deklaron, është keqpërdorim i madh që vaji nuk ka ardhur ende. Kjo ministre është kah po ballafaqohet me një mori keqpërdorimesh në ministri. Do të ndiqet penalisht”.