Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka shpërthyer në akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me gjendjen në sektorin e energjisë, duke e quajtur “kolaps të plotë” të cilin, sipas tij, nuk e ka shkaktuar as ndonjë krizë globale e as mungesa e thëngjillit.
Në një postim në rrjetet sociale, ai thotë se arsyeja e vetme për këtë situatë është paaftësia, mungesa e vizionit dhe keqpërdorimi i qindra milionave euro nga zyrtarët e partisë në pushtet.
“Kollapsin energjetik nuk e solli as mungesa e thëngjillit, as ndonjë krizë globale. Atë e sollën paaftësia, mungesa e vizionit dhe keqpërdorimi i qindra milionave euro nga zyrtarët e LVV”, ka shkruar Tahiri.
Ai rendit një sërë dështimesh të qeverisjes pesëvjeçare të Vetëvendosjes në këtë sektor, duke përmendur:
Punësimin masiv të militantëve në KEK, duke anashkaluar profesionistët;
Kurdisjen e tenderëve për qindra miliona euro që, sipas tij, kanë përfunduar në xhepat e të afërmve dhe bizneseve të afërta me pushtetin;
Emërimin e zyrtarëve politikë në KEK, përfshirë të arrestuarin Nagip Krasniqi dhe ndikimin e “kapelës së zezë” Dejona Mihali;
Shitblerje të dyshimta të energjisë, të menaxhuara nga zyra ku punon vëllai i kryeministrit në detyrë;
Rritjen e tarifave për qytetarët me mbi 127% dhe për sektorin privat me mbi 270%;
Bllokimin e investimeve strategjike amerikane, si projekti “Kosova e Re” dhe gazpërçuesi amerikan.
Sipas tij, “ky është rezultati i një qeverisjeje që energjinë e trajtoi si pronë partiake dhe burim përfitimesh të paligjshme”.