Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qëllimi i kryeministrit Albin Kurti është që përmes çështjes së hapjes të urës mbi lumin Ibër, “të gjitha dështimet e tij katër vjeçare mos t’i diskutojë në publik, disa muaj para zgjedhjeve”.
“Ura duhet të hapet, ta ushtrojë funksionin e vet praktik, pra të jetë instrument lidhës e jo ndarës. Dhe, ura nuk duhet të na shkaktojë armiqësi me vendin, që në esencë e ka bërë shtetin e Kosovës”, shkroi Tahiri në një postim në Facebook.
“Tash, të flasim për gjendjen në Kosovë – është një shtet totalisht i izoluar në rrafshin ndërkombëtar e i bllokuar në rrafshin e brendshëm, ku askush nuk mund të bëjë një rrugë 30-të kilometërshe për secilin drejtim si: Podujevë, Mitrovicë, Gjakovë, Gjilan apo kudo pa i planifikuar, të paktën dy orë rrugë. Janë mbi 2500 biznese të cilat operojnë në vendpunime të këtyre rrugëve, të cilat tash e disa vjet janë në bllokadë. Edhe dy javë nis procesi mësimor, ndërsa vazhdon maltretimi, keqpërdorimi e eksperimenti i Ministrisë së Arsimit me tekstet shkollore, vetëm për ta shtypur një të drejtë elementare të qytetarit. Ekonomia është buzë kolapsit, ndërsa sektori publik është me pagën më të ulët në nivel rajonal dhe më gjerë. E, për pagën, çka të flasim, minimale nuk kanë bërë asgjë”, u shpreh tutje deputeti.
Tahiri tha se qytetarë duhet të kuptojnë se Albin Kurti “e ka hapur vetëm një urë, atë të Saradranit”.
“Ai po donë që këtë popull me lidhë me një shtyllë afër urës dhe çdo ditë të na tregojë se a është lyer ura, a mund të kalojë një kamion, a foli me komandantin e KFOR-it apo jo. Shihni përtej kësaj, ky është një mashtrues i sofistikuar, i cili po e përmbyllë mandatin e tij me një sukses të vetëm – urën e Saradranit. Po e përmbyll mandatin duke e shkelur secilin zyrtar publik, duke e shtypur secilin zë të lirë, si në media ashtu edhe në shoqëri”.
“Këto janë problemet e tij, nëse doni të qëndroni të lidhur te ura, rrini aty, por Kosova është ka shkon poshtë dhe buzë shkatërrimit në nivelin më të ulët të marrëdhënieve ndërshtetërore me ShBA-në dhe vendet e BE-së”.
“Pra, mashtruesi i sofistikuar don me na mbajt të lidhur për ure!”, përfundoi Tahiri. /Gazeta Enigma