Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, në seancën e sotme tha se qeveria dhe deputetët e shumicës po i lajthitin ata që të trajtojnë tema të rëndësishme.
Tahiri tha se çështjet e tilla kërkojnë koordinim dhe harmonizim më të mirë mes Qeverisë dhe mazhorancës në Kuvend.
“E keni plot gojën luftë kundër-korrupsionit dhe se këta kriminel të luftës t’i vendosni para drejtësisë edhe duke i dënuar në mungesë dhe pse po ndodhin çështje të tilla. Nuk është mirë me na vënë në lajthitje edhe neve shefave të grupeve parlamentare që trajtojmë tema të tilla kaq të rëndësishme. Në raste te tilla kërkojmë një koordinim dhe harmonizim më të mirë në mes të Qeverisë së Kosovës dhe mazhorancës në Kuvend”, ka thënë ai.
Gjithashtu, Tahiri tha se situatat e tilla i humbin seriozitetin temave të rëndësishme siç është gjykimi në mungesë.
“Situata të tilla, degjenerime të tilla janë të panevojshme dhe i humbin seriozitetin temave të tilla dhe një çështje kaq të rëndësishme siç është gjykimi në mungesë. Vlen me theksu se po e përmirësojmë një gabim të LVV-së, që nuk e votuan një vendim të tillë që unë e kam sjell por e kanë votuar një të gabuar që sot po duhet ta ndryshojmë”, ka thënë ai.