Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, në fjalimin e tij në seancën solemne në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s ka shprehur mirënjohje dhe falënderim për ish-Sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, e cila vdiq të mërkurën në moshën 87 vjeçare.
“Shpreh falënderimin dhe mirënjohje për Madeleine Albright për angazhimin dhe përkushtimin e saj që Kosova të jetë vend i çliruar”.
Tahiri më pas tha se dita e sotme shënon përkujtimin e një ngjarjeje historike për vendin dhe kombin tonë, ngjarje për të cilën tha se është produkt i një momenti ekzistencial për popullin e Kosovës.
“Dita e sotme shënon përkujtimin e një ngjarje historike për vendin dhe kombin tonë, një ngjarje e cila është produkt i një momenti ekzistencial për popullin e Kosovës, sepse për të ardhur te ajo ngjarje, populli ynë u desh të përndiqej, të shpërngulej, të vritej e të masakrohej për faktin e vetëm se e donte lirinë e vetë dhe shtetin e vetë të lirë e demokratik”.
“Sot si në çdo 24 mars, kujtojmë këto dy premisa themelore të kësaj date. Sakrificën e popullit tonë si realitet dhe ndërhyrjen e NATO-s si përgjigje ndaj po këtij realiteti. Ndërhyrje e cila i dha fund dhunës shtetërore në përmasa të gjenocidit mbi popullsinë civile të Kosovës. Ne kemi qenë dhe jemi mirënjohës ndaj shteteve anëtare të NATO-s të cilat vendosën që mos të lejojnë edhe më tej krimin e regjimin e Millosheviqit. Jemi mirënjohës ndaj ushtarakëve, nga ata që drejtuan e deri te ata që morën pjesë për t’i dhënë fund krimeve e masakrave ndaj popullit të Kosovës. E dhjetëra mijëra burrave dhe grave, të rinjve dhe të rejave që kauzën kombëtare për çlirim e bartën mbi supet e veta për dekada”.
“Pa asnjë ndryshim, s’mund të kuptohet dhe të kujtohet kjo datë pa kryefjalën e të gjitha sakrificave e përpjekjeve tona në luftën e drejtë për liri të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Lufta e drejtë e Kosovës e udhëhequr nga UÇK-ja ishte faktori që përcaktoi realitetin e kësaj date që sot po e shënojmë. Kjo luftë së bashku me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me protagonistët e saj në mbështetje të popullit të Kosovës, ajo që bëri aleanca ushtarake të vihet në mbështetje të mbrojtjes së vlerave më të larta të civilizimit perëndimor, paqes, lirisë dhe demokracisë, vlera për të cilat UÇK u ngrit dhe luftoi”.
Tahiri përmendi edhe ish-presidentin Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, për të cilët tha se kjo datë s’ka kuptim pa ata.
“Në shënjimin e kësaj date historike e kemi të pamundur të astrahojmë të vërtetën historike të kësaj date e cila nuk do të kishte ndodhur dhe s’do të ishte e tillë pa karakterin e fortë dhe të paluhatshëm të atyre që synim të vetëm e kishin çlirimin nga robëria”.
Tutje ai ka shtuar se “s’mund të kuptohet kjo datë pa UÇK-në, pa udhëheqësit e saj, si presidentin Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimit e shumë të tjerë, protagonistë të UÇK-së, që trasuan themelin e saj, pra këtë themel dhe vazhdimësinë e rrugës për çlirimin e bën mbi amanetin e qindra e të rënëve për liri, si komandantit legjendar Adem Jashari, Zahir Pajaziti, Luan e Shkëlzen Haradinaj, e shumë bijave të atdheut tonë, dëshmorë e martirë të popullit tonë. Këta emra i bëjnë nder kësaj date”.
“Përmes tyre, kjo datë merr kuptimin e vërtetë historik e të përjetshëm për popullin e Kosovës si dhe për këta protagonistë rruga e çlirimit ka pasur kosto të lartë, dhe kjo kosto po na përcjell vazhdimisht edhe sot e kësaj dite. Kur ata që ishin protagonistë e partnerë të aleancës së vendeve demokratike e liridashëse po përballen me drejtësi për shkak të aludimeve të pabaza e të padrejta ndaj tyre”, ka thënë Tahiri.
“Nga një frymë që s’është vetëm frymë kundër UÇK-së e kundër Kosovës, por edhe vetë kundër NATO-s, kosto e vërtetë e padrejtë ndaj tyre. Si çlirimtarë do të duhej të ishin sot me ne për të shprehur mirënjohjen ndaj NATO-s dhe botës demokratike në këtë datë të shënuar, ata sot dalin në një seancë për të sfiduar kështu edhe kapitullin e fundit që ta dëshmojnë pastërtinë e luftës çlirimtare sepse misioni i UÇK-së ishte i qartë dhe lufta e saj ishte e pastër”ka përfunduar Tahiri./Gazeta Enigma/