Tahiri paralajmëron zhvillime të rëndësishme politike në javën që po hyjmë

Tahiri paralajmëron zhvillime të rëndësishme politike në javën që po hyjmë

Shefi i GP të AAK-së, Besnik Tahiri, ka paralajmëruar zhvillime shumë të rëndësishme politike dhe për jetën parlamentare në javën që po hyjmë.

Përmes një postimi në Facebook, ai ka folur për fushat ku do të jenë ato zhvillime, si dialogu, siguria, energjia, diaspora, Ligji i Pagave, fuqizimi i gruas e të tjera.

Postimi i plotë:

Java e ardhshme!

Java në të cilën po hyjmë, për jetën parlamentare dhe për zhvillimet politike është shumë e rëndësishme:

Siguria:

Ka të bëjë me strategjinë e sigurisë, e cila do të trajtohet nga kryetari i Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, z. Bekë Berisha. Kemi shumë komente e sygjerime, për të përmirësuar dhe forcuar këtë dokument shtetëror.

Energjia:

Kjo lidhet me energjinë elektrike dhe diskutimet që do të kemi me akterë të ndryshëm, ekspertë vendorë e ndërkombëtarë në një tryezë tematike. Kjo është tema më e rëndësishme që prodhon siguri energjetike, politike dhe kombëtare. Deputeti Pal Lekaj do të udhëheq tryezën që do të mbahet javën tjetër.

Skema pensionale për 15 vjetshin:

Ka të bëjë me pensionistët, ata të cilët për një ditë, një javë, apo një muaj nuk i bëjnë 15 vjet, nuk mund ta gëzojnë pensionin që iu takon.

Padrejtësia më e madhe në skemën pensionale lidhet me amandamentin që prof. dr. Shemsedin Dreshaj, do t’i prezantojë në seancë. Temë kjo, e ngritur kaherë nga deputetja, Teuta Haxhiu dhe grupi parlamentar i AAK-së.

Diaspora:

Në vazhdën e komunikimit tonë me mërgatën, deputetja Time Kadrijaj do të qëndrojë në një bashkëbisedim të hapur me bashkëqytetarët tanë, motrat dhe vëllezërit në Austri më 29 tetor 2022. Synimi ynë është që dijen dhe mendjen e diasporës ta përkthejmë në veprimet e AAK-sē.

Fuqizimi i gruas:

Fuqizimi i gruas dhe përfaqësimi i saj në vendimmarrjen tonë vazhdon të jetë prioritet i yni. Deputetja Albana Bytyqi në Komisionin e Drejtave të Njeriut do të trajtojë këtë çështje. Gjatë gjithë javës, Albana do të vazhdojë komunikimin në teren në kuadër të “ndërgjegjësimit kundër kancerit të gjirit” dhe për të adresuar kërkesat e tyre në kuvend, krejt kjo për të ngritur zërin dhe për të mishëruar idetë dhe propozimet e gruas në vendimmarrjen tonë në kuvend.

Ligji i Pagave:

Ndërlidhet me përfundimin e konsultimit publik për Ligjin e Pagave, për të cilin i kemi dhënë të gjitha kontributet tona dhe kërkojmë që ky ligj të përcaktojë pagën e secilit zyrtar, dhe mos të jetë ligj i cili do të hyjë në zbatim tek në fund të vitit 2023. Si anëtar i Komisionit për Administratë do të japim më të mirën. Shkurt, nuk është ligj i hierarkisë protokollare, por është ligj që e përcakton pagën. Gjatë javës do ta trajtojmë këtë temë.

Dialogu:

Po ashtu, është një javë e rëndësishme që lidhet me kontributin politik rreth dialogut dhe ngritjen e seriozitetit dhe disiplinës shtetërore dhe kombëtare në këtë temë. Kryetari Ramush Haradinaj do të vazhdojë punën dhe angazhimin e tij konkret.

Largimi nga parimet dhe fundamenti i ndërtimit të këtij shteti, është largim nga historia dhe e drejta jonë kombëtare dhe shtetërore.

Paçim një javë të mirë dhe me plot shëndet!

Related Articles